Life Style

Raporti/ Operacioni në Paris i Pranvera Hoxhës, luks dhe sekrete të familjes së diktatorit

Raporti: Miliona dollarë shpenzime për shëndetin e udhëheqjes komuniste dhe familjarëve të tyre. Nga Parisi në Vjenë, ku merrnin shërbime shëndetësore familjarët e diktatorit dhe anëtarët e tjerë të elitës së Bllokut

Krimet kundër njerëzimit që u kryen nga regjimi komunist, vrasjet e mijëra njerëzve, burgosjet, internimet dhe persekutimet janë të njohura tashmë. Autorët e këtij krimi masiv kundër jetës dhe dinjitetit të shqiptarëve nuk u përballën kurrë me drejtësinë. Për udhëheqësit e diktaturës, një tjetër krim i padiskutueshëm është ai ekonomik. Shpenzimet marramendëse për anëtarët e Byrosë Politike dhe familjet e tyre, që arrinin në qindra miliona dollarë çdo vit, ndërsa populli i thjeshtë po zhytej gjithnjë e më shumë në varfëri. Për luksin dhe sigurinë e padiskutueshme të Bllokut, paratë shpenzoheshin pa hesap, ndërsa një pjesë e madhe e popullit jetonte në kushte ekstreme varfërie dhe mungese lirie. Pavarësisht pasojave të këtyre krimeve, asnjë prej udhëheqësve të atij regjimi nuk u përball me drejtësinë. Në këtë dosier, Tema sjell disa shifra dhe fakte që hedhin dritë mbi këtë periudhë të errët e mbushur me mistere të Bllokut.

Një grup pune i përbërë nga përfaqësues të Kuvendit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve të tjera, përgatiti në gusht të vitit 1991 një raport “Mbi përdorimin e fondeve valutore të Ministrisë së Shëndetësisë për udhëheqësit e lartë partiakë dhe shtetërorë në vitet 1980-1990, për problemet mjekësore”. Raporti do të bëhej publik në një seancë parlamentare në vjeshtën e atij viti. Raporti u lexua nga deputeti Ahmet Hoxhallari, i cili paraqiti shifra dhe të dhëna që dëshmonin për shpenzime marramendëse për shëndetin e udhëheqjes së lartë komuniste. Të dhënat dëshmojnë se diktatori, por edhe anëtarët e Byrosë Politike, nuk mjekoheshin në Shqipëri, por në klinikat më të specializuara jashtë vendit. Raporti tregon shifrat e larta, kur për vetëm vitet 1980-1985 rezultonte se ishin shpenzuar 480,543 dollarë për dërgimin e të sëmurëve në Klinikën Speciale jashtë shtetit. Në raport sqarohej se në vitet 1986-1988 janë shpenzuar për këta të sëmurë 686,672 dollarë dhe 23,980 lekë, pa përfshirë këtu faturat që janë të palikuiduara në Vjenë në vitin 1988, shkruan Tema

Raporti

“Nga materiali i paraqitur, nga pyetjet e bëra dhe nga diskutimet, ky komision arriti në konkluzionin se gjatë kësaj periudhe janë bërë shkelje të rënda financiare dhe harxhime të konsiderueshme fondesh valutore për trajtimin mjekësor të pajustifikuar për mjaft udhëheqës dhe familjet e tyre. Bie në sy se këta të sëmurë janë dërguar vetëm në klinikat e Perëndimit, në Paris dhe në Vjenë, me kosto mjekimi 4 herë më të lartë se ato të Lindjes. Dërgimi i të sëmurëve për mjekim jashtë shtetit është bërë për një kohë të gjatë, pa komision të rregullt mjekësor. Dhe kur ky është krijuar, ka pasur shkelje, sidomos nga porositë personale që janë dhënë. Në vitet 1980-1985 të tilla porosi kanë dhënë: Adil Çarçani 21; Manush Myftiu 29; Ramiz Alia 17; Nexhmije Hoxha 6; Lenka Çuko 5 etj. Të bie në sy dërgimi i disa personave për mjaft herë, si dhe numri i madh i shoqëruesve, që arrin deri në 12 veta, duke përfshirë mjekë, oficerë, shoferë, punëtorë të Drejtorisë së Pritjes etj. Për shembull, në vitin 1988, vetëm për 11 të sëmurë, janë dërguar 42 shoqërues, ndërsa për të sëmurët e zakonshëm që janë dërguar jashtë shtetit, janë dërguar në çdo 3 prej tyre nga një shoqërues mesatarisht. Veçanërisht me familjen Hoxha bie në sy numri i madh i shoqëruesve. Për shembull, në vitin 1981 katër pjesëtarë të familjes Kolaneci janë shoqëruar nga 8 persona. Në vitin 1987 Nexhmije e Pranvera Hoxha nga 6 persona. Pranvera Hoxha, kur shkoi për të lindur me operacion në Paris, shoqërohej nga 4 mjekë. Gjithashtu, të bie në sy koha mjaft e gjatë e qëndrimit jashtë shtetit e tyre. Në shpenzimet që janë kryer, në zërin e shpenzimeve të veçanta janë kryer dhe shpenzime të tjera që nuk kishin pse të mbuloheshin nga fondi i Ministrisë së Shëndetësisë, si vizita muzeumesh, ekspozita, ambalazh, dhurata për mjekë dhe infermiere, pagesa për televizion në spital etj., që kanë rritur artificialisht koston e mjekimit”, thekson raporti.

Lidhur me vizitën në Francë në vitin 1987, ka dëshmuar vetë e veja e diktatorit në librin e saj. Ajo tregon detaje të mjekimit në Paris, por edhe vizitën në disa vende e muze të Francës, duke përfshirë atë më të famshmin, muzeun e Luvrit.

“Kur kishin kaluar afro dy vjet pa Enverin, pas gjithë atyre shqetësimesh serioze fizike e shpirtërore, që më kishin nisur qysh me rëndimin e sëmundjes së Enverit, unë pata disa shqetësime serioze shëndetësore. Në konsultat me mjekët, m’u rekomandua dhe m’u dha mundësia të shkoja në Paris, për disa analiza më të specializuara. Ishte muaji maj i vitit 1987. E shoqëruar nga vajza ime, Pranvera, vajta dhe u shtrova, për 3-4 ditë, në spitalin e ri “Bichat”, emër ky i një mjeku të shquar autodidakt. Pasi më bënë kontrollet mjekësore për analizat, më thanë të prisja përgjigjet e tyre.

Sa të qëndroja e shtruar në spital, mendova që për një a dy ditë të shkoja, bashkë me Pranverën, në Montpelje, ku Enveri kishte jetuar dhe studiuar 3 vjet, si për t’u çmallur me të. Sa ishte gjallë Enveri, unë kisha qenë në Paris, në vitin 1963 dhe 1965, edhe atëherë vetëm për analiza shëndetësore. Mbaj mend që atëherë nuk lëviza jashtë Parisit, pashë kalimthi me makinë rrugët e Parisit dhe Tur Ejfelin. Munda t’i hedh një sy Luvrit, muzeut me famë botërore të pikturave dhe piktorëve me emër gjatë shekujve, të cilin unë e kisha parë në një album, që e kishte Enveri në bibliotekën e tij, bashkë me disa albume të muzeve të tjera më të shquara të Evropës” shkruan Nexhimje Hoxha në librin e saj.

Ndërkohë, raporti për shpenzimet shëndetësore të Byrosë Politike vazhdon me detaje të tjera që lidhen me kostot ndër vite, miliona dollarë të shpenzuara për udhëheqjen komuniste dhe familjarët e tyre.

“Shkelja e konstatuar dhe nga konsuitat mjekësore apo Komisioni Mjekësor i Klinikës Speciale, të cilat në mjaft raste kanë firmosur dërgimin jashtë shtetit të këtyre personave, me diagnoza krejtësisht të mjekueshme në vendin tonë, si: neuroza, triktoptizi, siliktomi etj. Në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, kanë qenë dhe praktika e ndjekur për disa raste në Klinikën Speciale, si dhe pothuajse përtë gjitha rastet e familjes Hoxha, kryesisht deri në vitin 1985, sipas së cilës faturat e blerjes së medikamenteve, pajisjeve, produkteve ushqimore asgjësoheshin dhe zëvendësoheshin me një procesverbal, i bërë kryesisht nga oficerët e shoqërimit, nga kryetari i grupit, nga personeli mjekësor, si dhe sigluar nga personeli mjekësor, e sigluar, gjithashtu, nga Ministri i Shëndetësisë. Ky veprim nuk ka asnjë mbështetje qoftë dhe formale, zyrtare.

Kjo çështje agravohet dhe më tepër nga gjetja e dy faturave të këtij lloji, të paplotësuara, por me f irmë dhe vulën e Ambasadës sonë në Paris. Trajtimi i personave udhëheqës, me gjithë rrethin e tyre të gjerë familjar nga Klinika Speciale, nuk ka mbështetje ligjore. Po kështu trajtim i veçantë i njëllojtë për familjen Hoxha, që ka vazhduar dhe pas vdekjes së Enver Hoxhës deri në një muaj përpara, si dhe të familjes së Ramiz Alisë nuk është mbështetur në asnjë akt qeveritar, por vetëm në një vendim të Byrosë Politike. Në bazë të një statusi të veçantë, pjesëtarët e familjes Hoxha, si rregull, shkonin jashtë, mbasi Nexhmije Hoxha që kishte biseduar, së pari, me mjekët e familjes së saj, shtronte ankesën shëndetësore pranë Ramiz Alisë ose Adil Çarçanit. Këta jepnin urdhrat përkatës. Ministria e Shëndetësisë thekson se nga viti 1985, në bazë të vendimeve përkatëse të Byrosë Politike dhe të një urdhërese të Qeverisë, iu hoq kompetenca për këta të sëmurë. Kështu këta formonin vetëm urdhrin e dërgimit në bazë të porosive dhe nuk vendosnin as për shoqëruesin që do të dërgonin. Këta vendoseshin nga vetë personat që do të shkonin.

Shembujt financiarë janë krijuar, gjithashtu, nga dhënia e medikamenteve falas për përdorim në shtëpi nga Klinika Speciale për anëtarët e Qeverisë, anëtarët e Komitetit Qendror e të Presidiumit. Këto medikamente, një pjesë e gjendeshin në treg, zakonisht ishin dhe me vlerë të lartë. E njëjta gjë është bërë dhe me syzat optike. Kjo është realizuar në bazë të një vendimi të Byrosë Politike që komisioni ynë e quan të padrejtë. Gjatë gjithë kësaj kohe nuk është bërë asnjë kontroll financiar nga organet përkatëse mbi këto organika të veçanta. Në këtë mënyrë, në vitet 1980-1985 del një shpenzim për dërgimin e të sëmurëve të Klinikës Speciale jashtë shtetit prej 480 543 dollarësh. Këtu përfshihen dhe vlera të disa pajisjeve mjekësore që u morën në destinacion të veçantë, por që aktualisht funksionojnë në Spitalin e Tiranës. Në vitet 1986- 1988 janë shpenzuar për këta të sëmure 686 672 dollarë dhe 23 980 lekë, pa përfshirë këtu faturat që janë të palikuiduara në Vjenë në vitin 1988.

Mendojmë se përgjegjësi të rëndë ligjore kanë, në radhë të parë, ata që kanë përfituar nga ky trajtim, ata që kanë shkelur këtë ligj. Po kështu nuk mund të përjashtohet edhe piramida shtetërore përkatëse, që nga Këshilli i Ministrave deri te dikasteri. Përgjegjësi morale kanë dhe ata mjekë, të cilët janë treguar oportunistë, duke u bërë kështu bashkëfajtorë”, theksohet ndër të tjera në raport”, shkruhet në raport.

Klinika speciale e diktatorit

Bashkë me rënien e diktaturës komuniste kishin rënë edhe privilegjet për udhëheqjen dhe familjarët e tyre. Klinika speciale ishte një ndër institucionet e vendosura në dispozicion të Bllokut dhe familjarëve të tyre. Në vitin 1991 po diskutohej në parlament si të transformohej ajo dhe ti kthehej publikut të gjerë. Megjithatë, pati propozime që klinika speciale të mbetej në dispozicion për presidentin dhe kryeministrin apo edhe ndonjë zyrtar tjetër të lartë, por pa përfshirë familjarët e tyre. Vazhdimi i raportit tregon detajet.

“Në bazë të organizimit tonë shëndetësor në vendin tonë, aktualisht sot ekziston një mjekësi e diferencuar në disa nivele nga ana organizative dhe klinike. E para për Presidentin, që ka strukturë të pavarur. E dyta, Klinika Qeveritare, me një personel prej rreth 60 vetash, ku trajtohen anëtarë të Qeverisë, së bashku me familjarët e tyre, sipas një vendimi të Qeverisë në janar 1991. E treta, Pavioni 12 pranë Spitalit nr.1, ku trajtohen mjaft të privilegjuar të tjerë.

E gjithë kjo është ndërtuar arbitrarisht, pa një status të vënë këtyre personave nga Kuvendi Popullor. Për këto arsye, komisioni ynë i propozon këtij Kuvendi të miratojë statusin e veçantë që duhet të ketë Presidenti, Kryeministri, Qeveria dhe ndonjë person tjetër i lartë. Nga ana tjetër, për trajtimin shëndetësor ky komision ka këto mendime:

Pavioni 12 i Spitalit nr.1 të shërbejë vetëm për shtrimin e diplomatëve të huaj, delegacioneve apo afaristëve të huaj, që vijnë në vendin tonë. Kjo të jetë një zgjidhje provizore, sa të krijohet një strukturë e përshtatshme për popullin tonë, po kështu dhe për këta të huaj.

Klinika e Shërbimit Qeveritar të riorganizohet totalisht mbi një bazë krejtësisht të re. Këtu nuk e kemi fjalën për personelin, por për format organizative.

Mendojmë që Qeveria duhet të anulojë vendimin e janarit 1991. Mendojmë që këtu të trajtohet vetëm Presidenti dhe Kryeministri, pa familjarët e tyre, si dhe delegacionet qeveritare të rangjeve të larta. Nga ana organizative, mendojmë që kjo klinikë të mos jetë më e veçantë, por të varet nga një prej spitaleve kryesore. Do të ishte mjaft logjike dhe nga ana teknike që kjo të vendoset në një nga këto spitale, qoftë edhe në një ambient të veçantë. Klinika Qeveritare, në përbërjen e saj të mos ketë më farmaci për shitjen e medikamenteve në mënyrë ambulatore. Sidoqoftë ne mendojmë se për çdo person vendas, që trajtohet në mënyrë të veçantë duhet të përcaktohet statusi nga Ky Kuvend. Këto materiale ky komision vendas t’ua dërgojë organeve përkatëse shtetërore për një gjykim të mëtejshëm.

Gjithashtu, komisioni shqyrtoi dhe kontrollin për specializimin e mjekëve jashtë shtetit. Nga ky kontroll u konstatua se ky specializim është realizuar vetëm për kuadrin e Tiranës, në një kohë që ka në rrethe dhe mjaft mjekë të aftë dhe me grada shkencore. Mendojmë që në të ardhmen duhet të mbështetin rrethet në mënyrë prioritare, si për specializim, ashtu dhe për pajisjet teknike. Në këtë mënyrë do të mund të korrigjohet pabarazia që është krijuar midis Tiranës dhe rretheve në nivelin teknik dhe atë intelektual. Materiali i plotë nga ky komision është depozituar në sekretari. Deputetët që dëshirojnë mund ta shfrytëzojnë”, theksohet ndër të tjera në raport./TCh

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button