Zjarret në Los Anxhelos, 11 viktima e 180 mijë të evakuuar! Miliarda dëme, grabitës të maskuar si zjarrfikës
Flakët vazhdojnë të djegin dy zona të mëdha të Los Anxhelosit, Palisades dhe Eaton, ndërsa deri më tani është shkatërruar një zonë sa San Francisko. Gjashtë zjarre të njëkohshme kanë shkatërruar lagjet e Los Angeles County që nga e marta dhe tashmë numri i viktimave ka shkuar në 11.
Zjarri ka shkatërruar 10,000 struktura, ndërsa shifra totale pritet të rritet pasi zjarrfikësit do të kryejnë kontrolle shtëpi më shtëpi. Rreth 180 mijë persona janë evakuuar, ndërsa sipas Wall Street Journal dëmi arrin në rreth 50 miliardë dollarë.
Në mes të gjithë kësaj situate tragjike është shfaqur një fenomen shqetësues, pasi ka nga ata që plaçkitin rrënojat dhe shtëpitë e braktisura. Të paktën 20 persona janë arrestuar si të dyshuar për grabitje, ndërsa grabitësit kanë filluar të maskohen me uniformat e zjarrfikësve.
Së shpejti pritet të futet në fuqi shtetrrethimi, ndërkohë që ka banorë që po punësojnë sigurim privat për të ruajtur shtëpitë e tyre.
Kompania shumëkombëshe Walt Disney do të dhurojë 15 milionë dollarë për të kontribuar në përpjekjet për shuarjen e zjarreve, për të ndihmuar viktimat dhe për të rindërtuar qytetin e Los Anxhelosit të shkatërruar nga zjarret.