Dita e Ujit të Bekuar, besimtarët ortodoksë kremtojnë sot Shfaqjen e Perëndisë (Theofaninë)
Më 6 Janar besimtarët ortodoksë shqiptarë dhe në mbarë botën kremtojnë Shfaqjen e Perëndisë (Theofaninë), apo Pagëzimin e Krishtit, apo siç njihet dhe Dita e Ujit të Bekuar.
Fillimisht ishte vetëm një festë e shfaqjes së Perëndisë në botë, në formë njerëzore. Ajo përfshinte kremtimin e Lindjes së Krishtit, adhurimin e Magëve dhe gjithë ngjarjet e fëmijërisë, si rrethprerjen dhe paraqitjen në Tempull, si edhe pagëzimin prej Joanit në Jordan. Nuk ka dyshim, që kjo festë, si edhe Pashka dhe Rushajet, u kuptua si përmbushja e një feste të mëparshme judaike, në këtë rast, Festa e Dritave.
Epifani do të thotë shfaqje e sipërme. Festa quhet shpesh, sikurse është në librat e shërbesave orthodhokse, Theofani, që do të thotë shfaqje e Perëndisë. Theksi në këtë festë është në shfaqjen e Jisuit (Jezusit), si Mesia njerëzor i Izraelit dhe Bir hyjnor i Perëndisë, Njëri nga Trinia e Shenjtë me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë.
Tipari kryesor i festës së Epifanisë është Bekimi i Madh i Ujit. Ai kryhet dy herë, në vigjiljen e Epifanisë, mbas Meshës së Shën Vasilit dhe mbas Meshës së vetë ditës.
Shërbesa fillon me këndimin e himneve të veçanta dhe me temjanisjen e ujit, që është vendosur në mes të kishës.
Në 6 Janar në shumë vende është zakon që Bekimi i Ujit të bëhet në det, lumë, liqen apo në ndonjë pellg uji. Kur nuk është mundësia, bekimi bëhet në kishë.
Kur këndohet përlëshorja e festës, kremtuesi zhyt kryqin në ujë tri herë dhe pastaj vazhdon, duke spërkatur me ujin në katër drejtimet e horizontit.
Pastaj, ai bekon popullin dhe shtëpitë e tyre me ujin e shenjtëruar, i cili qëndron për shpëtimin e gjithë njerëzve dhe gjithë krijimit, të cilin Krishti e ka prekur nëpërmjet “epifanisë” së tij në mish, për jetën e Botës.
Shenjtërimi dhe spërkatja me ujin e Epifanisë nuk është një ritual pagan. Por, është shprehja e faktit më qendror të vizionit të krishterë për njeriun, si dhe për jetën dhe botën e tij. Kjo është dëshmia liturgjike, që na tregon se vokacioni dhe destinimi i krijimit është, që të jetë i “mbushur me tërë plotësinë e Perëndisë” (Efesianët 3:19).