Ndërhyrjet estetike, Ozaj: Vajzat sot s’i dallojmë dot nga njëra tjetra, të gjitha përfundojnë me buzët si rosak!
Në një intervistë për emisionin Dekalog, sipërmarrësja Artemisa Ozaj ka shprehur mendimin e saj mbi fenomenin e ndërhyrjeve estetike, duke theksuar se ato duhet të bëhen vetëm kur individët nuk ndihen mirë me disa pjesë të trupit ose fytyrës së tyre.
Ajo theksoi se ndërhyrjet mund të ndihmojnë në rritjen e vetëbesimit, për shembull, kur dikush ka probleme me hundën ose veshët, por gjithashtu bëri thirrje për kujdes ndaj ekzagjerimeve që mund të dëmtojnë natyralitetin.
Ozaj theksoi se ndërhyrjet nuk duhet të kalojë kufijtë. Sipas saj, sot shumë vajza priren pas një fotografie në rrjetet sociale ku kërkojnë të bëhen si ato, duke humbur identitetin e tyre natyral dhe duke përfunduar me buzët si rosak.
Unë jam për ndërhyrjet estetike atëherë kur ti nuk ndihesh mirë me diçka në fytyrën apo diku në trup. Pra, një problem me hundën apo me veshët që janë diçka që ndihmon në rritjen e vetëbesimit. Por nuk jam kurrë dakord që të bëjnë ndërhyrje tej mase sepse mund t’i bëjnë me masa më të vogla dhe të dukesh shumë bukur, shumë natyrale.
Ne e ekzagjerojmë shumë këtë gjë duke u bërë më shumë se duhet dhe përfundojmë si buze rosak. Unë për këto nuk jam dakord, vetëm për ndërhyrjet që janë të nevojshme që të ndihen mirë me veten e vet.
Nëse del para pasqyrës dhe shikon diçka që nuk të pëlqen dhe të krijon kompleks, pse jo ta ndryshosh. Rrjetet sociale e kanë shkatërruar akoma më shumë këtë fenomen sepse vajzat sot marrin një foto dhe shkojnë tek mjeku kirurg duke i thënë: Dua të bëhem si kjo!
Shkojnë dy, tre, bëhen shumë dhe pastaj bëhen njësoj dhe nuk kanë më identitet. Kemi edhe personazhe publike që nuk i dallojmë dot nga njëra tjetra”, tha Ozaj./ TPZ