Lajme

Hyn në fuqi sistemi i ri ‘bonus-malus’, historiku me aksidentet vendos çmimin e sigurimit që do të paguhet për mjetet

Nga kjo e mërkurë, 1 janar 2025, hyn në fuqi sistemi i ri i sigurimit të makinave i njohur si bonus malus, që do të zbatohet nga shoqëritë e sigurimit qw parashikon aplikimin e primit të diferencuar bazuar në risqet që mbart çdo i siguruar.

Përmes këtij sistemi të ‘penalizuar’ janë drejtuesit problematikë të mjeteve, të cilët kanë historik negativ me aksidentet, që do të paguajnë më shumë për sigurimin e makinës. Kurse shoferët e rregullt, do të përfitojnë sigurim më të lirë.

Të gjithë drejtuesit e mjeteve që kanë mbi 2 aksidente në 3 vitet e fundit do të paguajnë siguracion më të lartë për makinën. Sigurim më të lartë do paguajnë edhe ata pronarë mjetesh, me makinën e të cilëve është shkaktuar aksident edhe pa qenë ata drejtues. 

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e miratoi vjet rregulloren e re për llogaritjen e primit të sigurimit, ku çmimet që drejtuesit e mjeteve do të paguajnë për sigurimin e detyrueshëm do të diferencohen bazuar në disa faktorë risku. 

Në përllogaritjen e primit të sigurimit përveç historikut të aksidenteve do të merret në konsideratë edhe Fuqia motorike, mosha e shoferit, eksperienca e tij në drejtimin e makinës, përdorimi i mjetit, qarku i regjistrimit të mjetit si dhe vjetërsia e makinës. Moshat e reja, eksperienca e ulët apo makina e vjetër konsiderohen të gjithë rreziqe që shtrenjtojnë siguracionin. Po ashtu faktor risku është edhe qarku ku është regjistruar automjeti duke i konsideruar me risk të ulët qarqe si Berati, Dibra apo Kukësi.

Vlerësimi i këtyre rreziqeve vulos edhe sigurimin e ri që do të paguajnë drejtuesit e mjeteve. Nëpërmjet këtij sistemi bonus-malus ku primi do të vendoset në bazë risku synohet që të rritet përgjegjshmëria e drejtuesve të mjeteve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button