Vajza që s’e pa asnjëherë, Dallëndyshja: Bashkëshorti emigroi e s’u kthye më!
Historia e gjyshe Dallëndyshes e cila jeton e vetme në një banesë sociale në Patos, është plot vuajtje e sakrifica. Ajo u rrëfeu moderatorit të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebreas dhe Fluturës, bamirëses që dëshironte ta ndihmonte përmes “Ka Një Mesazh Për Ty”, humbjen e vajzës, shikimit dhe pengun për nipin e mbesën që jetojnë në Shtëpinë e Fëmijës.
Zemra e kësaj gjysheje të verbër rëndohet nga kujtimi i dhimbshëm i braktisjes nga bashkëshorti, por sidomos largimit të vajzës nga jeta në moshën 23-vjeçare. Për të është një brengë e madhe që për shkak të varfërisë, s’arriti kurrë t’i plotësonte dëshirat së bijës.
Dallëndyshe: Kam shumë histori të dhimbshme, por nuk i tregova, sidomos për vajzën dhe për bashkëshortin që m’u largua për një jetë më të mirë për veten e tij. Nuk e prisja.
Ardit Gjebrea: Bashkëshorti iku për një jetë më të mirë, emigroi?
Dallëndyshe: Po, emigroi.
Ardit Gjebrea: Dhe pastaj nuk u kthye më.
Dallëndyshe: Nuk u kthye më. Mendoi vetëm për jetën e tij. Sidomos për atë që e lindi, e solli në jetë dhe nuk ishte i gatshëm që ta shikonte, të paktën t’i thoshte “të keqen babi” njëherë, s’i tha asnjëherë.
Ardit Gjebrea: Dhe t’u desh ta përballoje vetë.
Dallëndyshe: Vetë nga fillimi deri në fund. Sidomos kur shkoi 16 vjeç që s’ia plotësoja njëherë dëshirën t’i blija një palë atlete. Më iku, unë e di sesi ka ikur ai fëmijë. Pa bukë në gojë, pa asgjë. I kërkonte shpirti t’i blija ndonjë xhup a ndonjë gjë, nuk kisha mundësi./tvklan.al