A është gripi i shpendëve pandemia e ardhshme? Çfarë duhet të dini për rastin e parë te njerëzit
Një lloj viral i gripit të shpendëve mbërriti në Shtetet e Bashkuara në fillim të vitit 2022 dhe ka vazhduar të dëmtojë fermat dhe shpendët në të gjithë vendin. Sipas “Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve” (CDC), sëmundja ka prekur mbi 58 milionë pula dhe shpendë shtëpie.
Virusi zyrtarisht ka prekur edhe bagëtitë më 25 mars, pasi u zbulua se qumështi i papërpunuar kishte rezultuar pozitiv ndaj gripit të shpendëve në Texas dhe ndoshta në New Mexico, sipas “Departamentit të Bujqësisë së SHBA-së” (USDA). Më 18 dhjetor, CDC konfirmoi rastin e parë “të rëndë” të gripit të shpendëve te njerëzit. Po atë ditë, guvernatori i California-s, Gavin Newsom, shpalli gjendjen e emergjencës për shkak të përhapjes së shpejtë të gripit të shpendëve.
Ky akt synon të sigurojë që agjencitë qeveritare të kenë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm për të reaguar shpejt ndaj këtij shpërthimi,” deklaroi Newsom. “Ndërsa rreziku për publikun mbetet i ulët, ne do të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm për të parandaluar përhapjen e virusit.”
Deri tani, CDC ka konfirmuar 61 raste të gripit të shpendëve te njerëzit – më shumë se gjysma e tyre në California. Mund të ketë edhe disa raste të tjera ende të pakonfirmuara.
Megjithëse njerëzit zakonisht nuk preken nga ky virus, shpërthimi aktual i gripit të shpendëve ka ngritur shqetësime mes ekspertëve për mundësinë e një “pandemie të gripit të shpendëve”. Më poshtë gjeni të gjitha informacionet që duhet të dini për të mbrojtur veten, nga simptomat deri te masat parandaluese.
Çfarë është gripi i shpendëve?
Sipas CDC-së, gripi i shpendëve është një sëmundje që prek shpendët dhe shkaktohet nga infeksioni me viruset e gripit të tipit A. Tek kafshët, gripi i shpendëve është shumë ngjitës dhe shpesh fatal. Virusi përhapet përmes pështymës, sekrecioneve dhe jashtëqitjeve të shpendëve të infektuar.
Ky grip nuk është një problem vetëm në SHBA. Ai tashmë është përhapur në mbarë botën, duke prekur kafshët në Evropë, Azi dhe Afrikë. Shpendët e egër (sidomos shpendët ujorë) dhe shpendët shtëpiake (pula, gjela, rosa, pata etj.) janë më të rrezikuar, sipas USDA-së.
A mund të infektohen njerëzit nga gripi i shpendëve?
Po, por rreziku mbetet i ulët. “Individët që punojnë në fermat e pulave ose bagëtive, si dhe ata që konsumojnë qumësht të papërpunuar, janë më të rrezikuarit,” thotë Dr. Amesh Adalja, ekspert i sëmundjeve infektive. “Pjesa tjetër e popullatës ka një rrezik shumë të vogël.”
A përhapet gripi i shpendëve nëpërmjet ajrit?
Po, virusi mund të përhapet përmes grimcave të pluhurit ose pikave në ajër.
A mund të ketë një pandemi të gripit të shpendëve te njerëzit?
Ekziston mundësia. “Shqetësimi është se disa lloje të gripit të shpendëve mund të zhvillojnë aftësinë për t’u përhapur mes njerëzve, ashtu si pandemia e vitit 1918,” thotë Dr. Adalja. Megjithatë, ai shton se lloji aktual i virusit (H5N1) ka kufizime në përhapjen mes njerëzve, ndaj nuk konsiderohet ende një lloj pandemik.
Shenjat e gripit të shpendëve te kafshët:
Mungesë energjie dhe oreksi
Enjtje dhe ngjyrë të purpurt në pjesë të trupit
Diarre
Sekrecione nga hunda
Kollë dhe teshtima
Rënie të prodhimit të vezëve
Vdekje të papritur
Shenjat e gripit të shpendëve te njerëzit:
Skuqje të syve
Simptoma të lehta si gripi i zakonshëm
Temperaturë
Kollë
Dhimbje trupi
Pneumoni
Nëse keni qenë në kontakt me shpendë të infektuar dhe ndjeni këto simptoma brenda 10 ditësh, izolohuni dhe kontaktoni autoritetet shëndetësore lokale.
Parandalimi te njerëzit
CDC rekomandon:
Shmangni kontaktin direkt me shpendët e egër.
Mos hani produkte të papërpunuara, si qumështi ose vezët e pagatuara.
Përdorni doreza dhe lani duart pas kontaktit me shpendët.
A duhet të ndaloni konsumin e pulave ose vezëve?
Jo. Mishi dhe vezët e gatuara mirë janë të sigurta për konsum.
Në përfundim, ndërsa rreziku për një pandemi mbetet i ulët, është e rëndësishme të qëndroni të informuar dhe të ndiqni udhëzimet përkatëse për të mbrojtur veten dhe të tjerët.