Jua gris diplomat” – Devis Xherahu, “shpërthen” ndaj jurisë së Festivalit të 63 të Këngës: Jeni zhgënjimi më i madh
Artisti i njohur shqiptar, këngëtari Devis Xherahu, është lënë jashtë finales së Festivalit të 63 të Këngës nga juria. Kënga “Ka momente” e artistit nuk është votuar nga juria për të qenë pjesë e finales së madhe.
Pas këtij vendimit artisti ka reaguar i indinjuar dhe i revoltuar në rrjetet sociale përmes një videoje ku ka përcjellë një mesazh të fortë dhe i ka dhënë një shuplakë jurisë së Festivalit të Këngës.
Miq përshëndetje
Arsyeja që unë po e bëj këtë video është sepse kam marrë shumë mesazhe nga ju që mbrëmë deri sot, rreth këngës sime ‘Ka momente’ që është pjesëmarrëse në Festivalin e 63-të të këngës.
Në pamundësi për t’ju kthyer të gjithëve përgjigje, sepse është mungesa e kohës që nuk mjafton, po e bëj këtë video.
Mbrëmë, siç e patë, kënga ime ‘Ka momente’, një nga këngët më të pëlqyera, një nga këngët më profesionale, një nga 5 këngët, për mua, më të realizuara të këtij evenimenti, u ndalua padrejtësisht nga juria e këtij festivali.
Kjo juri për mua është juria më e dobët dhe më joprofesionale që kam parë deri më sot sepse të mos futësh këngën ‘Ka momente’ në finale është injorim i ekzistencës si juri, injorim i intelektit dhe i diplomave tuaja miq dhe mikesha të nderuara të jurisë së festivalit.
Ato diploma që keni marrë, unë jua marr dhe jua gris dhe jua hedh atje te vrima e bardhë. Edhe unë diplomën e kam njësoj si ju, por nuk keni të krahasuar ju me mua sepse ju me ose pa dashje, por unë e quaj me dhe e mbroj këtë që po them, keni zbuar të gjithë profesionistët, këngëtarët profesionistë, të marrin pjesë në festival. Ju jeni arsyeja, me vendimet tuaja, që profesionistët e kanë braktisur këtë festival dhe me të drejtë.
Jam shumë i sigurt që Vaçe Zela, Avni Mula, Gaço Çako, Tonin Tërshana e shumë e shumë të tjerë që po na shohin nga lart janë duke qeshur dhe duke lotuar tani. Pse? Sepse ju jeni zhgënjimi më i madh i festivalit, i asaj pasurie që ata lart na e kanë lënë. Nejse, ju heq kryq.
Dua të falënderoj përzemërsisht publikun që mbështeti këngën ‘Ka momente’ që në fillim të konkurrimit të saj dhe sidomos falënderoj me shpirt orkestrën e madhe të RTSH-së, atë orkestër që ka punuar me orë të tëra punë dhe lodhje për realizimin e këtij festivali. Jeni gjëja më e bukur dhe me vlerë, jeni gjëja më e pacenueshme e këtij festivali. Faleminderit që ekzistoni. I love you”, shprehet këngëtari/OraNews