Pirro Çako fshin nga YouTube këngën me 6 milion shikime të Parashqevi Simakut
Kënga “E duam lumturinë” e Parashqevi Simakut ka ekzistuar në kanalin “YouTube” prej më shumë se 9 vitesh, e ngarkuar në një kanal jozyrtar, me plot gati 6 milionë shikime, e ku të shumtë ishin ata që riktheheshin herë pas here për ta dëgjuar.
Mbi 200 mijë klikime, këngës iu shtuan vetëm gjatë javës së fundit, dhe kjo falë interesit të madh që ngjallën lajmet për këngëtaren në SHBA.
Është vështirë të thuhet se Parashqevi Simaku ka përfituar ndonjëherë monetarisht nga këngët e saj.
Por së fundmi diçka e çuditshme ka ndodhur me këngën “E duam lumturinë”. Versioni i vjetër me miliona klikime është fshirë nga YouTube, ndërsa kënga është rihedhur një ditë më parë, në mesin e interesit të shtuar për Parashqevi Simakun, nga kanali zyrtar i Pirro Çakos.
Të drejtat e këngës duket se tashmë po i menaxhon kompania “FOLÉ”. Pirro Çako është kompozitori i kësaj kënge me tekst të poetit të ndjerë Agim Doçi./OraNews