Gara ndërkombëtare për hekurudhën Vorë-Han i Hotit, Balluku: Rruga do të zgjasë 2 orë mesatarisht, parashikohet të punësohen 1000 persona
Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, njëherësh dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku mori pjesë në ceremoninë e hapjes së garës ndërkombëtare për linjën hekurudhore Vorë-Hani i Hotit.
Sipas ministres, linja që nis në Vorë dhe përfundon në Hanin e Hotit do të jetë 120 km e gjatë dhe mesatarisht udhëtimi do të zgjasë 2 orë.
Balluku: Gur më i rëndësishëm kilometrik pasi bëhet për një pjesë tjetër të rëndësishme të hekurudhës shqiptare. Duke marrë shkas nga dje, ditë e rëndësishme për Shqipërinë dhe Malin e Zi për çeljen e grupkapitujve të tjerë, kjo hekurudhë ka domethënie të madhe. Sot çelim garën ndërkombëtare për hekurudhën Vorë-Han i Hotit, që lidh Shqipërinë me Malin e Zi, me të cilin ndajmë histori, tradita të përbashkëta dhe aspiratën për në BE. E bën Shqipërinë pjesë të korridoreve pan evropiane. Një gur tjetër themeli vendoset në hekurudhën shqiptare pas progresit që tashmë kemi prej muajsh në hekurudhën Tiranë-Durrës, me segmentin e ri në Rinas.
Kemi gati studimin e fizibilitetit për Durrës-Prishtinë. Deri tani, kemi kërkuar bashkëpunimin për projekte hekurudhore, por qeveria shqiptare mund të ketë financimin e disa prej këtyre linjave. Dy projekte të tjera, aeroporti i Vlorës, që synon të jetë një nga më të mëdhenjtë në rajon, duhet të jetë i lidhur me sistem hekurudhor, po punojmë për fizibilitetin e linjës së dytë, që lidh Vlorën me Rrogozhinën.
Nga këto projekte, angazhimi i qeverisë shqiptare është serioz për ta modernizuar sistemin hekurudhor. Rruga do të përshkohet për dy orë mesatarisht me një fluks vjetor 2,3 milionë pasagjerëve, ose 900 mijë tonë ngarkesa mallrash në vit. Vënia në funksion pritet të jetë me një impakt shumë të rëndësishëm social dhe ekonomik, parashikohet të punësohen 1000 persona./Top Channel