Dy të plagosur në qytetin bregdetar, makina shoshë nga plumbat – Digjet një automjet në aksin Vlorë-Fier.
Dy persona kanë mbetur të plagosur në një atentat me kallashnikov të ndodhur mbrëmjen e sotme (18 dhjetor 2024) ora 21:30 në lagjen 24 maj’ të qytetit të Vlorës.
Njëri prej të plagosurve është identifikuar si Kevin Hajrulla, ndërsa i plagosuri i dytë është Armand Spahiu 35 vjeç.
Dyshohet se ky i fundit ndodhej rastësisht në atë moment kur ndodhi atentati.
Pas krimit autorët kanë djegur makinën në autostradën Vlorë-Fier.
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po mbledh provat materiale.
Nuk dihen ende detaje në lidhje me atentatin por në vendngjarje janë gjetur një sërë gëzhojash. Ndërkohë që dhe në makinë ka gjurmë të shumta plumbash.
Njoftimi:
Vlorë/ Informacion paraprak
Mbrëmjen e sotme, rreth orës 21:30, në lagjen “24 Maji”, Vlorë, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri shtetasi K. H., rreth 30 vjeç, i cili udhëtonte me një automjet tip “Benz”. Si pasojë e të shtënave, është plagosur me armë zjarri edhe shtetasi A. S., 35 vjeç, i cili ndodhej në afërsi në momentin e ngjarjes.
Të dy personat janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal Vlorë dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Gjatë krehjes së zonës në afërsi të fshatit Panaja, është bërë i mundur lokalizimi i automjetit të dyshuar të përdorur nga autorët, i cili është përfshirë nga flakët. Po punohet për shuarjen e zjarrit.
Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve të dyshuar.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes.