Britaniku fiton lotarinë dhe bëhet milioner, duke lënë pas Dua Lipa dhe Michael Bublé!
Fatlumi, i cili ka zgjedhur të mbetet anonim, doli për të marrë çmimin e tij në EuroMillions pas shortit të zhvilluar të martën, më 26 nëntor.
Një person nga Mbretëria e Bashkuar ka fituar çmimin e tretë më të madh në historinë e Lotarisë Kombëtare, duke marrë një xhekpot prej 177 milionë paundësh. Fatlumi, i cili ka zgjedhur të mbetet anonim, doli për të marrë çmimin e tij në EuroMillions pas shortit të zhvilluar të martën, më 26 nëntor.
Operatori i Lotarisë Kombëtare, Allwyn, konfirmoi të martën se shuma e madhe prej 177,033,699.20 paundësh i është dorëzuar fituesit. Tani, ky individ është më i pasur sesa pasuritë e kombinuara të Dua Lipa-s, me një pasuri të përafërt prej 104 milionë paundësh, dhe Michael Bublé, me rreth 63 paund. Gjithashtu, fituesi i lotarisë është më i pasur se Adele, e cila ka një pasuri prej 170 milionë paundësh, si dhe Harry Styles dhe Anthony Joshua, që të dy kanë një pasuri prej 175 milionë paundësh, sipas listës më të fundit të të pasurve të gazetës Sunday Times.
Megjithatë, ende nuk e kalon pasurinë e Rory McIlroy (225 milionë paund), Ed Sheeran (340 milionë paund), dhe Lewis Hamilton (350 milionë paund). Ky milioner misterioz renditet si fituesi i tretë më i madh në historinë e Lotarisë Kombëtare, pas Joe dhe Jess Thwaite nga Gloucester, të cilët fituan një xhekpot rekord prej 184,262,899 paund me një biletë Lucky Dip më 10 maj 2022.
Ndërkohë, një tjetër fitues i panjohur nga Mbretëria e Bashkuar fitoi xhekpotin rekord të EuroMillions prej 195 milionë paund më 19 korrik 2022. Andy Carter, këshilltar i fituesve në Allwyn, tha:
Jemi tejet të lumtur që ky çmim historik i EuroMillions është dorëzuar. Mundësitë me këtë shumë të madhe parash janë të pafundme, dhe çfarë momenti i mrekullueshëm për ta fituar këtë çmim – pak para Krishtlindjeve. Ata mund të bëjnë këtë periudhë festive edhe më të veçantë, ndoshta duke kërkuar pushime tropike ose një udhëtim festiv për blerje në New York për të festuar. Çfarëdo që të vendosë të bëjë ky fitues me paratë e tij, fokusi ynë tani është t’i mbështesim ata në këtë proces në mënyrë që të fillojnë të shijojnë menjëherë fitoren./gsh