Në errësirën e një kamioni për Angli: Sa kushton një ëndërr e rreme?
Jo gjithçka që shkëlqen është ar. E njëjta gjë vlen për premtimet për një jetë më të mirë në një tokë të huaj. Por çfarë ndodh kur e gjithë kjo shpresë përfundon në errësirën e një kamioni? Aldi, Eno, Xhastin dhe Ema në emisionin “O me 3, o me 8”, u bënë pjesë e një eksperimenti/sfide që synon të tregojë të vërtetën e ashpër të emigrimit të paligjshëm dhe pasojat që ai sjell.
Në një marrëveshje të ftohtë, të katërt morën udhëzimet e para: “Nuk ka asgjë pa rrezik.”
Koha e udhëtimit? E paparashikueshme – mund të jetë 10, 12 apo edhe më shumë orë, sepse gjithçka varet nga fati. Pagesa…? Nuk jemi këtu për të bërë reklamë, por le të themi që është SHUMË!
Pa shumë mendime, të katërt u futën në një kamion të mbyllur, të mbushur me kuti dhe pa asnjë dritë. Me vete kishin vetëm copa kartonash dhe pak bukë. Gjatë orëve të gjata, nisën të ndihen të uritur, të lodhur dhe të mpirë nga të ftohtit. Gjithçka përreth ishte kaos – kuti që binin, hapësirë e ngushtë dhe një ndjesi klaustrofobie që u bë gjithnjë e më e padurueshme.
Ndërsa ora kalonte, nervat nisën të lëkunden. Pa asnjë mundësi kontakti me botën jashtë, buzëqeshjet gradualisht u shuan dhe heshtja e rëndë zuri vendin e çdo shprese. Këmbët iu ngrinë dhe durimi ishte një luks që nuk mund ta përballonin më. Çdo minutë dukej një pafundësi.
Ndal, Policia!”
Papritur, një mesazh që njoftonte praninë e policisë ndaloi kamionin. Zemrat nisën të rrihnin fort dhe për disa çaste, të katërt menduan se gjithçka kishte marrë fund. Ishte një ndalesë false – pjesë e sfidës për të treguar realitetin e ashpër të situatës. Por frika që ata përjetuan ishte mëse reale.
Në fund të sfidës, të gjithë u larguan me një reflektim të rëndë të këtij realiteti.
Kjo sfidë nuk u bë për të trembur, por për të ndërgjegjësuar. Nëse qoftë edhe një person ndalon të mendojë dy herë para se të ndërmarrë një hap të tillë, ne e kemi bërë punën tonë.
Në realitet, nuk ka sfidë që mund të rikrijojë plotësisht dhimbjen, vuajtjen dhe tmerrin e atyre që marrin këtë rrugë. Por ndonjëherë, një përjetim i tillë mund të shërbejë si një pasqyrë që të ndihmon të kuptosh se çdo rrugë ka një kosto dhe se ndonjëherë, çmimi është thjesht shumë i lartë për tu pëerballuar.
Kështu që para se të ngjitesh në atë kamion, ndalo dhe pyet veten: A ia vlen me të vërtetë rreziku?
/ANABEL