Vendi
Shtrëngata të herëpasherëshme shiu, parashikimi i motit për këtë të diel
Reshjet e shiut do të vijojnë edhe këtë të diel deri në orët e pasdites në formën e shtrëngatave në pothuajse të gjithë territorin.
Në Alpe dhe relievet malore mbi 1000-1200 metër në veri-verilindje-juglindje parashikohen reshje dëbore me intensitet të ulët, lokalisht deri mesatar (majat e maleve).
Era deri në orët e mesditës pritet të fryjë me drejtim nga kuadrati i jugut me shpejtësi mesatare 4-12m/s, ndërsa në lugina dhe bregdet hera-herës do të arrijë shpejtësi 14-21m/s shoqëruar me dallgëzim të forcës 3-5ballë. Pas orëve të mesditës intensiteti i erës do të jetë 7-16m/s.
Ndërkohë, sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, do të ketë mjegull të dendur lokale me shikim të reduktuar në orët e mëngjesit.