BEHGJET PACOLLI SHPREHET I GATSHËM TË KUJDESET PËR PARASHQEVI SIMAKUN/ I OFRON BANESË DHE MBULIMIN E SHPENZIMEVE MUJORE
Ish-presidenti Behgjet Pacolli përmes një njoftimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se është takuar sot me humanistin Halil Kastratin, me të cilin kanë diskutuar për gjendjen e ikonës së muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku.
Kjo pasi një video e cila po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale, ka ngritur dyshime se një grua e pastrehë,cila flet në një intervistë të shkurtër për kanalin amerikan “ABC7”, mund të jetë këngëtarja ikonike Parashqevi Simaku.
Pacolli ka thënë se Shoqata “Jetimat e Ballkanit” dhe Fondacioni “Behgjet Pacolli,” janë të gatshëm për ta ndihmuar ish-këngëtaren shqiptare.
“Gjatë një takimi që patëm sot me humanistin Halil Kastrati dhe ish-konsullin e Kosovës në Kanada, Donat Syla, ky i fundit na informoi në detaje për gjendjen e rëndë të këngëtares së famshme shqiptare, Parashqevi Simaku. Ne, Shoqata “Jetimat e Ballkanit” dhe Fondacioni “Behgjet Pacolli,” shprehim gatishmërinë për të vënë në dispozicion një banesë dhe për të marrë përsipër të gjitha shpenzimet për transferimin e saj në Kosovë ose Shqipëri, duke i garantuar asaj punësim adekuat ose një pension mujor. Shoqëria jonë duhet të përkujdeset për personalitetet që kanë dhënë shumë për kombin !”, thuhet në postimin e Pacollit./ObserverKult