Ali Ahmeti: Nëse hiqni shqipen, do të keni pasoja
Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të shtyjë seancën për Ligjin e gjuhëve për një datë të pacaktuar.
Në këtë seancë, për të cilën do të vendoset se kur do të mbahet, pritet të marrin pjesë ekspertë të fushës dhe përfaqësues të partive politike, të cilët do të paraqesin argumentet e tyre lidhur me kontestimin e Ligjit për gjuhët. Propozimi për shtyrjen e seancës u bë nga gjykatësja e Gjykatës Kushtetuese, Elizabeta Dukovska, e cila është përgjegjëse për këtë çështje.
Por para marrjes së këtij vendimi, Ali Ahmeti dhe Ziadin Sela kanë mbajtur fjalën e tyre përpara kësaj gjykate dhe një turme të madhe njerëzish, të mbledhur aty.
Ahmeti paralajmëroi faktin se nëse merret një vendim për abrogimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, do të ketë pasoja dhe revolta të mëdha nga shoqëria.
Nuk jemi mbledhur këtu se ka ndonjë fushatë elektorale. Jemi mbledhur këtu sepse sot, gjykatës të Gjykatës Kushtetuese në rend dite kanë vendosur suprimimin e gjuhës shqipe. Çdo vendim i pamatur, i pamençur, do të shkaktojë revoltë e indinjatë te shqiptarët sepse po u mohohet një e drejtë që nëpër shekuj, jo vetëm me shumë mund e sakrifica, por e kanë larë edhe me gjak”, tha ai./SYRI.net