Zbardhet më në fund misteri i funksionimit të kalendarit maja
Cikli 819-ditor i kalendarit maja ka lënë me gisht në gojë studiuesit për dekada me radhë, por kërkimet e fundit tregojnë se si ai përputhet me ciklet planetare gjatë një periudhe prej 45 vitesh. Kjo është një perspektivë shumë më e gjerë për kalendarin e ndërlikuar sesa ajo që ishte provuar më parë.
Në një studim të botuar në revistën Ancient Mesoamerica, dy studiues nga Universiteti Tulane theksuan se si kërkuesit nuk kishin mundur kurrë të shpjegonin plotësisht numërimin 819-ditor derisa zgjeruan perspektivën e tyre.
Edhe pse kërkimet e mëparshme janë përpjekur të tregojnë lidhje planetare për numërimin 819-ditor, skema e tij katërpjesëshe me ngjyra dhe drejtime është shumë e shkurtër për t’u përshtatur mirë me periudhat sinodike të planetëve të dukshëm,” shkruajnë autorët e studimit. “Duke e rritur gjatësinë e kalendarit në 20 periudha prej 819 ditësh, shfaqet një model në të cilin periudhat sinodike të të gjithë planetëve të dukshëm përputhen me pikat e stacionit në kalendarin më të madh prej 819 ditësh.”
Kjo do të thotë se majat kishin një perspektivë 45-vjeçare për përputhjet planetare dhe e kodifikuan atë në një kalendar që ka lënë studiuesit modernë të mahnitur.
Ndërsa kultura e lashtë maja ofronte lloje të ndryshme kalendarësh, ai që i ngatërronte më shumë studiuesit ishte ky kalendar 819-ditor i zbuluar në tekste hieroglifike. Studiuesit kanë besuar prej kohësh se ky kalendar ishte i lidhur me lëvizjet planetare, veçanërisht periudhat sinodike, kur një planet duket se kthehet në të njëjtën pikë në qiell, siç shihet nga Toka, të planetëve kryesorë. Megjithatë, secili planet lëviz ndryshe dhe përputhja e disa planetëve në një periudhë prej 819 ditësh nuk kishte kuptim.
Por funksionon kur shikohet mbi 16,380 ditë (afërsisht 45 vite), jo vetëm mbi 819 ditë. Ky është një total prej 20 ciklesh prej 819 ditësh.
Mërkuri ishte gjithmonë pika fillestare e këtij cikli të ndërlikuar sepse periudha e tij sinodike, 117 ditë, përputhej mirë me 819. Pas kësaj, nevojitet të zgjerohet numri 819, dhe nëse grafikohet me 20 cikle të 819, çdo planet kryesor përfshihet në llogaritje.
Marsi mund të jetë çelësi për gjatësinë totale. Me një periudhë sinodike prej 780 ditësh, 21 periudha përputhen saktësisht me 16,380, ose 20 cikle prej 819. Venusi kërkon shtatë periudha për t’u përputhur me pesë cikle prej 819 ditësh, Saturni ka 13 periudha që përputhen me gjashtë cikle prej 819 ditësh, dhe Jupiteri 39 periudha për të arritur në 19 cikle prej 819 ditësh.
“Në vend që të kufizonin fokusin te ndonjë planet i vetëm,” shkruajnë autorët, “astronomët maja që krijuan numërimin 819-ditor e imagjinuan atë si një sistem kalendarik më të madh që mund të përdorej për parashikimet e periudhave sinodike të të gjithë planetëve të dukshëm, si dhe për pikët e përputhshmërisë me ciklet e tyre në kalendarin Tzolk’in dhe rrethin kalendarik.” / Popular Mechanics – Syri.net