Nëse keni vendosur të ndaheni njëherë e mirë nga partneri/partnerja, ekspertët sugjerojnë këto mënyra më “të lehta”
Ka ndjesi më të këqija se sa të përjetosh një ndarje në dashuri. Por kur je ti ai/ajo që i jep fund një marrëdhënieje, përjetimi është i dyfishtë. Megjithatë nëse je në fazën që po mendon të ndahesh nga partneri, ka disa këshilla për ju nga ekspertët që e lehtësojnë këtë proces.
Thuaj të vërtetën, por mos u trego brutal/e!
Nëse ti ke marrë vendimin të ndahesh, patjetër i detyrohesh një shpjegim palës tjetër. Psikoterapistja e njohur Rachel Sussman thotë se “njerëzit e vuajnë ndarjen më shumë kur nuk qartësohen, kur nuk e kuptojnë arsyen”. Kështu që, ju duhet ta thoni arsyen, por pa e shokuar partnerin. Mund t’ia thuash problemin, duke i rrëfyer edhe se je përpjekur të bësh maksimumin për ta rregulluar. Zgjidhni fjalët me kujdes, thoni fraza të tipit: “Kjo më ka bezdisur”, “Ishte kaq e vështirë për mua”, në vend që të fajësoni tjetrin. Së fundmi, edhe mund t’i kërkoni të mbeteni miq, ose që në çdo moment kur të ketë nevojë mund t’ju telefonojë. Madje nëse e ndjeni që mund të ribashkoheni në të ardhmen, thuajeni.
Sy më sy!
Duhet të jeni patjetër në një vend privat e komod. Vendi ideal është shtëpia ku mbase keni jetuar, ose shtëpia e partnerit. Nëse keni frikë për reagimin e tij/saj mbani një farë distance fizike. Të shkruash një mesazh lamtumire nuk është kurrë ide e mirë.
Sigurohu!
Zakonisht njerëzit që marrin vendime të tilla, kalojnë stres të paparë duke i stërmenduar gjërat. Kjo e shton dhimbjen, megjithatë mos merrni kurrë vendime pa i shqyrtuar mirë të gjitha aspektet e lidhjes tuaj. Rekomandohet që të paktën 3 muaj të bëni përpjekjet tuaja për të rregulluar diçka mes jush./LIVING