Tri dekadat e Murit që ndau botën
Përshkrimi: muri i sigurisë, materiali: beton arme, perimetri: 155 km, lartësia: 3.60m, vendi: Berlini lindor i Republikës Federale Demokratike të Gjermanisë, inagurimi: 13 gusht të 1961, domethënia: simboli më i madh i Luftës së Ftohtë mes SHBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik
Kjo skedë është një enciklopedi historie për studenët dhe do të jetë e vetmja që mbetet, e atij burgu të madh në qiell të hapur në sektorin e Berlinit Lindor, pas Luftës së Dytë Botërore dhe pasojë e triunfit të aleatëve mbi Rajhun e Tretë. Berliner Mauer, emri i tij në gjermanisht i ngritur me shpejtësi supersonike dhe e pagëzuar nga Perëndimi si “muri i turpit” kishte një qëllim të vetëm, atë të pengimit të arratisjes masive të banorëve të zonës komuniste drejt lirisë. Për qarqet sovjetike kishte arsye komike: “Për të mbrojtur popullatën tonë nga elemente fashiste që konspirojnë kundër vullnetit popullor për të ndërtuar një shtet socialist në Gjermaninë Lindore”. Vetëm disa filma bazuar mbi histori reale ose edhe trillime kanë si protagonist Murin e Berlinit dhe sjellin tmerrin gjatë ditës dhe natës të asaj barrikade. I fundit është filmi “Bridge of Spies” i Stiven Spilbergut me Tom Hanks dhe Mark Rylance si protagonistë. Rrëfen një histori të vërtetë, kur në vitin 1957 qeveria amerikane arreston Rudolf Abel, një resident rus në Bruklin dhe e akuzon për spiunazh në favor të Bashkimit Sovjetik. Në vitin 1960 arrestohet piloti amerikan Gary Powers për spiunazh fotografish dhe një student i dyshuar për trafikim të informacioneve të rezervuara.
Departamenti i shtetit thërret James Donovanin, avokat i sigurimit dhe me famë negociatori që udhëton drejt Berlinit dhe shkëmben Abelin me pilotin dhe studentin. Në film Silbergu ndërton metër pas metri tmerrin e Murit. Kullat me ushtarë të armatosur dhe me urdhëra për të qëlluar mbi këdo që përpiqet të largohet, me prozhektorët e mëdhenj, qentë e tmerrshëm, pastorët gjermanë të trajnuar për të sulmuar këdo. Një botë e kërcënuar mbi faqet e të cilit vdiqën më shumë se 200 njerëz që u përpoqën ta kapërcenin. Megjithatë goditjet e para ky Muri i mori brenda Kremlinit. Me vdekjen e Jozef Stalinit, bisha e zezë e komunizmit, të cilit i faturohen 10 milionë të vdekur në kampe pune dhe burgje, lindën dy lëvizje që u përoqën t’i japin një kthesë historisë nga më të shëmtuarat e diktaturës, të nisura në tetor të vitit 1917: 10 ditë që tronditën botën, por që kurrë nuk ish një diktaturë e proletariatit për të cilën fliste Lenini, por një regjim i hekurt që ndaloi çdo lloj forme lirie politike, sociale dhe kulturore. Këto lëvizje ishin “Glasnost “ (transparencë) dhe “Perestroika” (ristrukturim) të ideuara nga Mihail Gorbaçov dhe të vazhduara nga Boris Yeltsin. Objektivi ishte futja e bllokut sovjetik në një botë të lirë, duke dekretuar lirinë e shtypit dhe me disa hapa drejt tregut të lirë.
Këto ndryshime të nisura në 1985 dhe me shtrirje deri në vitin 1999 e bënë të padobishëm ekzistencën e Murit të Berlinit, për më tepër ai e kishte përmbushur funksionin e tij. Para vitit 1961, viti i ndërtimit dhe që nga 1949 më shumë se tre milionë banorë gjermanë ishin arratisur nga Republika Demokratike gjermane drejt zonave perëndimore të të njëjtit qytet. Për këtë arsye u ngrit natën e 12 dhe 13 gushtit pa paralajmërim, nga mijëra punëtorë dhe u cilësua si mbrojtje kundër imigrimit, infiltrimit, spiunazhit, sabotazhit, kontrabandës, shitjeve dhe dhunimeve të perëndimorëve. Me kalimin e viteve filloi edhe shkatërrimi i kësaj pengese: avancimi i Moskës drejt formave sociale dhe ekonomike të ndërmarra, diktatura mbytëse staliniste, arratisjet e vazhdueshme pavarsisht rrezikut për jetën (në shtator të 1989 13 mijë gjermanë lindorë shpuan murin afër Hungarisë), manifestimet masive të protestave kundër qeverisë së Gjermanisë Lindore, të gjitha këto parashikuan fundin e Murit…para se të merrte të tatëpjetën. Gjithçka filloi në datën 6 nëntor të vitit 1989, kur një anëtar i Byrosë Politike, Günther Schabowski, në një koferencë për shtyp në televisionin e Gjermanisë Lindore njoftoi se lejoheshin udhëtimet jashtë dhe për këtë duheshin dhënë fillimisht viza.
Papritmas mijëra njerëz u grumbulluan përpara blloqeve gri. Ushtarët nuk guxonin të hapnin zjarr dhe presioni i madh i detyroi të hapnin pikat e kalimit. Në koferencën për shtyp gazetari i agjensisë italiane Ansa, Riccardo Ehrman e pyeti Schabowski-n se kur do të hynte në fuqi ligji për udhëtimet dhe Schabowski pa e parë fletën e dytë të dokumentit sipas të cilit ligji hynte në fuqi vetëm të nesërmen, u përgjigj: – Ab sofort (mënjëherë). Shpërthimi i një vullkani dhe llava e tij do të kishin më pak efekte se vetëm ato dy fjalë të shqiptuara nga Schabowski. Radiot dhe kanalet televizive nga të dy anët e Berlinit bërtisnin: “Muri u hap!” Mijëra të tjerë berlinezë lindorë marshuan drejt pikave të kontrollit dhe kërkonin hapjen e tyre për të shkuar në zonën perëndimore. Trupat ushtarake dhe funksionarët nuk ishin në dijeni të episodit të koferencës për shtyp dhe nuk vepruan. Mes orës 11 të natës dhe mëngjesit të së nesërmes orteku njerëzor ishte i pandalshëm. Nga ana tjetër edhe Gjermania tjetër priste me ankth. Pronarët e lokaleve ofronin birra falas. Duar të njohura dhe të panjohura takoheshin me njëra-tjetrën. Ajri i lirisë po përhapej pa barriera. Deputetët e Bonit kënduan me zë himnin gjerman. Në datën e 9 nëntorit të 1989-ës, kishin kaluar 28 orë, kur mijëra punëtorë së bashku me ushtarë të panumërt ushtruan një akt drejtësie me lopata, kazma dhe çekicë kundër këtij masivi gri, ndërsa turma këndonte. Violençelisti i njohur, Mstislav Rostrópovich që jetonte në ekzil në Berlinin Perëndimor u jepte zemër prishësve të murit.
Një fotografi që bëri histori…
Artisti gjerman Bodo Sperling arriti të shpëtonte disa blloqe për të filluar kështu galerinë e artit urban në vende të hapura dhe nga ai lindi “East Side Gallery” përgjatë lumit Spree, të tjerë pikturuan muralet në homazh të kësaj vepre. Me rënien e Murit nuk ranë vetëm blloqet, por edhe 70 kilometra tela dhe gjemba, 160 rrugë të ndriçuara, 150 tabela, 200 kulla ruajtëse dhe 30 pika kontrolli. Nuk ra vetëm një symbol i diktatuës komuniste, por i të gjitha diktaturave, një mësim i së shkuarës dhe së ardhmes: liria hapet përjetësisht. Po përveç thirrjeve për fitore kalimi i lindorëve në botën perëndimore nuk ishte i lehtë. Prapambetja e teknologjisë e asaj popullsie kërkonte kurse formimi, ndihmë sociale, krijim të vendstrehimeve, kujdes mjeksor dhe të gjitha derivatet e një regjimi që nga 1961 deri në 1989. Ky Mur dogji dy gjenerata dhe i la në injorancë, frikë dhe dyshim: tre forma klasike këto për të ushtruar pushtetin absolut. Kostoja e kësaj ngjarjeje historike është e pallogaritshme për Gjermaninë. Nga ana tjetër qëndron si kundërpeshë ndaj krimeve më të mëdha të historisë njerëzore, ajo e Hitlerit dhe e Rajhut të Tretë. / Bota.al