Diskriminimi i shqiptarëve edhe në përdorimin e simboleve
Nga REFIK HASANI
Shqiptarët në Republikën e Serbisë që jetojnë në Preshevë, Medvegjë, e Bujanoc vazhdojnë të përballen duke u diskriminuar, pasi mungon rregullimi me ligj për përdorimin e simboleve Kombëtare.
Shumë qytetarë të kësaj Krahine Shqiptare vazhdojnë të përballen nëpër Gjykata Serbe, pse kanë përdorur Flamurin Kombëtar Shqiptar. Përdorimi i simboleve Kombëtare nga shqiptarët në Serbi është e drejtë e tyre njerëzore, Kombëtare dhe ekzistenciale, por ende nuk është rregulluar përdorimi me dispozita ligjore, e kështu vazhdon diskriminimi edhe në përdorimin e simboleve.
Mos lejimi i përdorimit të simboleve Kombëtare, është shkelje, cenim, mohim i së drejtës elementare individuale dhe kolektive të shqiptarëve në këtë Krahinë, përkundër që më datën 1 dhe 2 mars të vitit 1992, është organizuar dhe mbajtur Referendimi dhe ka ndodhur lufta e armatosur në mesë të UÇPMB-ës dhe forcave të qeverisë së Republikës së Serbisë.
Krahina shqiptare e mbetur padrejtësisht nën administrimin e Serbisë, është e diskriminuar edhe në pasivizimin e adresave-një pastrim etnik i heshtur,është e diskriminuar në parfaqësim të institucioneve Lokale dhe Qendrore të Republikës së Serbisë. Është diskriminuar në zinxhirin Komandues të Policisë, në Gjykata, Prokurori, Shëndetësi, Administratë Tatimore. Është e diskriminuar edhe në kulturë, në informim, në investime të zhvillimin ekonomik , mungon Universiteti në gjuhën Shqipe, etj.
Kjo krahinë shqiptare, është e diskriminuar nuk lejohet vendosja e shtatores së Skënderbeut në qendër të Bujanocit,dhe Lapidari i UÇPMB-ës në Preshevë është hequr nga forca policore dhe ende nuk është kthyer në vendin e vetë. Në këtë Krahinë mungon një Institut për ruajtje të trashigimisë kulturo-historike, mungon një Universitet publik në Gjuhën Shqipe e në anën tjetër ende nuk pranohen diplomat e Republikës së Kosovës.
Kjo Krahinë shqiptare, është Rajoni më i pazhvilluar dhe më i diskrimnuar në gjithë Evropën.
Mbi të gjitha,ky Rajon që mbulon Preshevë, Medvegjë, e Bujanoc, nuk e ka zgjidhur çështjen e statusit politik të shqiptarëve të kësaj krahine, prandaj vazhdon diskriminimi edhe në përdorimin e simboleve Kombëtare.