Life Style

“Ju në salltanete, ne në mjerim”, i shkroi letër Enverit dhe përfundoi në psikiatri, drama e poetit Kiço Th. Spiri

Historia e pa treguar e poetit kundravers në rrëfimin e mikut të tij, Gole Zerva…

Kiço Spiri, K.TH. Spiri apo Këthja, siç e quanin, ka qenë një poet popullor nga Koncka e Zagorisë që kishte bërë emër me poezitë e famshme dhe vjershat humoristike që përcillen gojarisht edhe sot. Pavarësisht se krijimtaria e tij, nuk zuri vend asnjëherë në historinë zyrtare të letërsisë shqipe, ajo qëndron në bashin e vendit të memories kolektive, sidomos me ligjërimet brilante për dashurinë dhe ato fshikulluese për politikën. E ndërsa njihet gjerësisht e përcillet brez pas brezi krijimtaria e Kico Spirit, pak fare pak dihet për jetën e tij. Poeti kondraves që tha gjithçka në vargjet e pashtershme, nuk ka lënë asgjë nga jetëshkrimi i tij. Gole Zerva, një miku i tij i hershëm që e ka njohur nga afër e ka ndarë me të momente të bukura po dhe të trishta, rrëfen për herë te parë historinë e panjohur të vjershëtorit që i pëlqente ta quante veten Çajupi i dytë i Zagorisë. Tek poeti ku fshihej njeriu, është përjetuar një dramë e tmerrshme që pak kush e di, një dramë unike në llojin e vet, që ka shënjestruar fundin e tmerrshëm e të parakohshme të Kiço Spirit të famshëm. Atë që nuk e prekën asnjë fije floku për ato mijëra e mijëra vargje, e paralizuan barbarisht me pak rreshta që i adresoi Enver Hoxhës diku nga fundi i viteve 70. Një histori disi ndryshe, pa hetues e gardianë, pa pranga e qeli, po me një ndëshkim tjetër me tmerret e psikiatrisë së Elbasanit…

Zoti Gole, ju keni qenë një nga miqtë e afërt të Kiço Spirit, poetit të famshëm që u bë i njojur me vargjet brilante për dashurinë dhe ato fshikulluese për politikën, çfarë kujtoni nga shoqëria me të?

Ne jemi nga e njëjta krahinë, Zagoria e Gjirokastrës, nga dy fshatra afër njëri tjetrin. Jemi njohur që fëmijë. Kemi qenë gati të një moshe, megjithëse Kiçua ishte disa vite më i madh nga mua. Ndër të tjera, shkak i lidhjes ka qenë pasioni për vjershat. Fillimisht vjershëronim vargjet e Çajupit. Atë e kishim nga krahina dhe mënyra si shprehej në vargje mbarte traditën dhe frymëmarrjen e Zagorsë. Çajupi si të thuash shënjoi më së shumti miqësinë me Kiçon, i cili qysh në rininë e tij filloi të vjershërojë dhe vet. Shpirti i vargjeve të Çajupit u bë frymëzim për të…

Ndërkohë që publikisht njihet pak a shumë krijimtaria e Kiço Spirit, nuk dihet gjë për jetën e tij. Çfarë profesioni kishte, çfarë punë bënte, ç raporte mbante me familjen, fshatin, regjimin e kohës etj?

Nuk kishte ndonjë profesion të veçantë. Fill pas luftës punoi disa vite korrier i lokalitetit dhe bekshi në zonë. Më vonë fatorino i autobusëve të linjës Gjirokastër-Tiranë. Kaq mbaj mend se më vonë nuk punoi. Raportet me familjen i kishte të shkëlqyera. Kishte për bashkëshorte një zonjë grua. Kishte pesë fëmijë në mos gaboj. Njëri më i mirë nga tjetri. Me këmbënguljen e jashtëzakonshme të tij, të pestë fëmijët, si rrallë kush tjetër në atë kohë, i bëri me shkollë të lartë. E pengonin jo pak në Gjirokastër për bursat e tyre, se atëherë nuk të jepnin më shumë se një bursë për familje, po Kiço e zgjidhte problemin në Tiranë, falë talentit dhe njohjeve me zyrtarë të lartë, shumë të lartë madje që e njihnin. Dhe fëmijët ja kanë shpërblyer mundin dhe investimin, janë bërë ekspert të mrekullueshëm të fushave të tyre. Kjo ka qenë kënaqësia më e madhe e Kiços…

U kujtohen vjershat e para të Kiço Spirit?

Së paku unë e kam dëgjuar duke vjershëruar aty nga fillimi i viteve 50. Po ai kishte nisur më herët të krijonte poezi. Çuditërisht nuk i quante të tilla, por i titullonte me fjalën shkresa. “Shkresa e parë për Zagorinë”, “Shkresa për dashurinë…” etj.

Pra, mbi çdo titull poezie shkruante fjalën “shkresa” me numrat respektivë…

Çfarë shkruante more?! Kiço nuk i shkruante në letër vargjet e poezisë, por i recitonte, ashtu varg pas vargu. Dhe i krijonte aty për aty. I shkruante, si të thuash, jo me laps në fletore si gjithë bota, po me shpirt si ja thoshte zemra në çast. Kështu i bënte dhe Çajupi i parë i Zagorisë, thoshte, duke nënkuptuar veten Çajupi i dytë. Këtë e dinin të gjithë atëherë, se Kiço Spiri nuk bën vjersha me laps po vetëm i vjershëron.

Dhe si qarkullonin pastaj vargjet e tij?

Ashtu gojë për gojë. I dëgjoja unë, më tërhiqnin, takoja ty dhe ti thoshja. Ti pastaj një tjetri. Shkonte vjersha e Kiços si stafet. Kishte njerëz që gjatë këtij komunikimi tjetërsonin ndonjë varg, shpesh nga që harronin vargun origjinal, po kishte dhe të tjerë që e ndryshonin jo me qëllime të mira. Se ishin kohë të këqija e jo rrallë vargjet e tij ishin me spec…

Mbani mend çfarë u thoshte Kiço kur takoheshit?

Vargje vargje të tëra, se ai veç me vargje fliste. Aty ishte pasioni dhe jeta e tij. Shumë nga to aty për aty i hidhja në letër të mos i harroja. I ruaj edhe sot me dhjetëra fletë të mbushura me vargjet e tij nga takimet këtu në Tiranë po dhe në Gjirokastër.

Ti si miku i afërt i tij, cilat nga poezitë do të veçonit?

Këtu ndjehem vërtetë ngushtë, se nuk mund të bëj dallim ndër to. Çdo njëra më tërheqëse se tjetra. Doje vjersha për dashurinë, i qante si askush. Doje për politikën, ta linte dobiçin te dera. Doje për gruan, për familjen. Çfarë nuk ligjëronte Kiço…

Thatë që takohet shpesh dhe ai ju përgjigjej me vargje. Mbani mend ndonjë nga krijimet e improvizuara në këto takime?

Më kujtohen disa të tilla, por njërën e kam më për shpirt. Atë vjershën Hidrocentralet…

Ka shkruar Kiço në atë kohë për hidrocentralet?

Po si jo. Po jo si ato marshet pllakatë. Një të tillë e ka improvizuar kur pinim kafe një mbremje vjeshte në Tiranë. Unë sa isha kthyer nga Vau i Dejës ku punoja dhe ai nga një takim konfidencial me Kiço Ngjelën. Si shkëmbyem fjalët e para për shëndetin dhe familjen, ai ngeci te puna ime në hidrocentral. Dhe aty për aty ja shkrepi siç dinte ai:

Hidrocentralin kur e pashë,

Në Ulzë plot gojën thashë:

Marksi brenda,

Mjekrra jashtë.

Dhe ky shoku në Shkopet

Engelsit sa shumë i ngjet.

Në Selitë sa ma ka ënda

Sikur shoh Leninin brenda.

Më Bistricë seç u çmalla

O Stalin, të lumtë palla!

U ndez drita, më nuk prita,

Nëpër ujë ç’u vërvita

Dhe përqafova, m’u duk,

Stalinin me gjithë çibuk.

E kishte të afërt Kiço Ngjelën, apo mik?

Nuk ishin lidhje gjaku. Kiço Ngjelën e kishte nga krahina. Nga Zagoria atëherë kishte disa funksionarë të lartë, anëtarë të Byrosë Politike, të Komitetit Qendror, ministra, deputet etj. Po Kiço Spiri më së shumti preferonte shoqërinë me Kiço Ngjelën. Me sa duket ky ja njihte mirë talentin, po e njihte mirë dhe si karakter. Kishte ndodhur disa herë ta ndihmonte për çfarë i kërkonte, kuptohet brenda kufizimeve të kohës. Dhe Kiçua nuk ia harronte ministrit që nuk e ktheu mbrapssh për asgjë.

Pra në një farë mënyre Kiço Spiri ka përfituar nga miqësia me Kiço Ngjelën…

Nga aq sa më tregonte, ndër të tjera, ka përfituar një burs për djalin, por jo vetëm kaq. Kiço Ngjela, siç më thoshte e kishte shpëtuar dhe nga një telash i madh që i kishte ndodhur në zonë. E kishin bërë problem aty në fshat e krahinë për bejtet armiqësore “kundër luftës së klasave dhe marrëdhënieve me Greqinë”. Ishin thënë e çfarë nuk ishin thënë aty në meçliz kundër tij. Pastaj të parët e lokalitetit e kishin qëndisur kërkesën e tyre për komitetin e Partisë në Gjirokastër. Në këtë situatë kritike Kiçua i gjorë që rrallë e njihte frikën, i tronditur siç ishte, kishte marrë rrugën dhe direkt te Kiço Ngjela. Aman më bën derman me Rrapo Dervishin, i kishte thënë, se janë gati të më shpallin kulak. Kaq kishte mjaftuar dhe Kiço Ngjella, siç më tregonte, e kishte gjetur llafin me Rrapo Dervishin, asokohe sekretar i parë i Gjirokastrës. Në fakt, për sa kohë Kiço Ngjela ishte në detyrë, Kiço Spirit nuk iu fut gjemb në këmbë. Ndryshe ndodhi kur Kiço Ngjelën e rrëzuan nga fiku

E shpallën kulak?

Ta kishin shpallur kulak ku ta gjeje, po shumë më keq se kaq. E syrgjynosën në psikiatrinë e Elbasanit dhe i mjeri Spiro u shkri si qiriu pak e nga pak deri sa vdiq i shpërfytyruar…

Si përfundoi në psikiatri Kiço Spiri?

Është një histori e gjatë e shumë e dhimbshme që vetëm pak e dinë. Gjithçka ndodhi pas një letre që Kiço Spiri i bëri Enver Hoxhës. I shkrojti udhëheqësit me atë naivitetin dhe çiltërsinë e tij dhe e pagoi shtrenjtë, shumë shtrenjtë…

Më konkretisht, çfarë i shkroi në letër Enverit?

Unë në fakt nuk e kam lexuar atë letër, por Kiçua më ka treguar se e vinte në dijeni për situatën e rëndë që kalonte vendi. Ju në salltaneti, i thoshte, e ne, populli në varfëri. Pastaj i kujtonte teprimet në luftën e klasave. Se i bie që dhe ju ta internoni motrën tuaj, gruan e Bahri Omarit me djemtë si familjarë të një tradhtari të pushkatuar për tradhti, i shkruante. Pak a shumë të tilla gjëra që Kiçua i përmendte në çdo vjershë e në çdo bisedë. Jam interesuar deri vonë për ta gjetur atë letër, po nuk kam mundur…

Në rrugë postare ja kishte dërguar letrën, apo me ndonjë mik dorazi?

Ku futej ndonjëherë Kiçua në postë. Letrën ja besoi tja jepte Enverit kuzhinieres së Simon Stefanit, që e kishte nga fshati. Kishte një lloj miqësie me familjen e saj. Mirëpo kur mendoi që ajo e kishte adresuar për tek i zoti, filloi ajo goditja e tmerrshme për të…

Çfarë kishte ndodhur?

Letra e Kiços për Enverin kishte përfunduar në duart e Nustret Dautit, i cili atëherë ishte drejtor i sigurimit për Tiranën. Fillimisht ky i fundit thirri Spiron, djalin e madh të Kiços që atëherë punonte në Bankë. I dha ato porositë që diheshin në të tilla raste. Dhe kur mendohej se çështja ishte mbyllur me kaq, ndodhi ajo që nuk pritej. I shkuan Kiços nga Tirana dhe i thanë se duhej të vizitohej se ishte sëmurë. Jo, u tha ai nuk kam gjë. Diku ja mbushën mendjen dhe e çuan në spital. Në fillim në spitalin e Gjirokastrës e pastaj për një vizitë më të specializuar siç i thonin në Tiranë. Mirëpo në Tiranë nuk arriti kurrë se e syrgjynosën menjëherë në psikiatrinë e Elbasanit. Aty me elektroshot e ilaçe e dërrmuan fare. Që këtej Kiçua nuk e mori më veten…

 Dhe vdiq në psikiatri…

Jo nuk vdiq në spital. Pasi e trajtuan aty rreth gjashtë muaj e nxorën. E nxorën po Kiçua nuk njihej më nga mënyra si ishte shpërfytyruar. Diku pas tre katër muajsh vdiq i rrënuar..

E takuat Kiçon pasi doli nga psikiatria?

E takova po më mirë mos ta kisha takuar që të mbaja mend atë Kiçon e përmotshmi. As më njohu dhe as e njoha. Kur më tha i biri se kishte qenë në spital, u trondita. Kiçua ndërkohë nuk dinte çfarë fliste. Më shumë fliste me vehte dhe here pas here përmendte me atë gjuhën e trashur fjalën “Elbasani”, “Ah Elbasani”… /Pamfleti

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button