Koleksioni/ Bernie Ecclestone vendos të shesë 69 makina Ferrari dhe Brabham: S’ia lë gruas…
Bernie Ecclestone, ish-drejtues i Formula 1 nga viti 1987 deri në 2017, po bën përsëri bujë, këtë herë pasi ka vendosur të shesë të gjithë koleksionin e tij të makinave të Formula 1.
Dhe nuk bëhet fjalë për një koleksion të zakonshëm, por për koleksionin më të madh dhe më të plotë në botë, përjashtuar koleksionin që mund të zotërojë Sulltani i Bruneit (edhe pse kjo nuk dihet me siguri).
Në total, janë 69 makina Grand Prix dhe Formula 1 të blera pa marrë parasysh çmimin për më shumë se 50 vjet, shumë prej të cilave nuk janë parë më që kur u bënë pronë e Ecclestone, pasi britaniku nuk preferonte t’i ekspozonte.
Përse po i shet makinat?
Sipas fjalëve të tij, Ecclestone vendosi t’i shesë për shkak të moshës së tij: “Jam 94 vjeç dhe ka ardhur momenti të filloj të mendoj çfarë do të ndodhë me to nëse unë nuk do të jem më këtu. Për këtë arsye, vendosa t’i shes. Pas kaq shumë kohësh, duke i koleksionuar dhe zotëruar, do të doja të dija ku do të përfundojnë, në vend që të lë gruan time të merret me to kur të mos jem më”.
Makina Ferrari dhe Brabham, të jashtëzakonshme
Në koleksion përfshihen modele Ferrari, fitues të garave të mëdha me pilotët Alberto Ascari, Mike Hawthorn, Niki Lauda dhe Michael Schumacher; makinat Brabham me të cilat fituan Nelson Piquet, Carlos Pace, Stirling Moss dhe përsëri Niki Lauda.
Ndër to gjendet edhe Brabham-Alfa Romeo, një makinë që garoi vetëm në një Grand Prix (Suedi, 1978) dhe fitoi me më shumë se gjysmë minute diferencë.
Ecclestone ishte i pasionuar pas Ferrarit, por vetë ai ishte pronar i skuadrës Brabham, një ekip që fitoi dy kampionate botërore për konstruktorët dhe 22 gara Grand Prix gjatë drejtimit të tij.
Brabham ishte gjithashtu pionier në teknologji si përdorimi i disqeve të karbonit dhe rikthimi i furnizimeve me karburant gjatë garave. Nga ky ekip dolën figura të mëdha të automobilizmit si Gordon Murray, Charlie Whiting dhe Herbie Blash.
Një pasuri historike
Si pronar dhe drejtor i Brabham, Ecclestone themeloi Shoqatën e Konstruktorëve të Formula 1 dhe më pas krijoi Formula One Group në 1987, duke marrë nën kontroll të drejtat tregtare të sportit deri në 2017.
Ecclestone tha: “Kam mbi 50 vjet duke koleksionuar këto makina dhe gjithmonë kam blerë ekzemplarët më të mirë. Ndërsa shumë koleksionistë kanë preferuar makinat sportive, pasioni im kanë qenë gjithmonë makinat e Grand Prix dhe Formula 1.
Një makinë Formula 1 është kulmi i sportit, dhe të gjitha makinat që kam blerë gjatë viteve kanë një histori të jashtëzakonshme garash dhe janë kryevepra të rralla arti”.
Shitja e koleksionit
Ecclestone ka vendosur të mos i nxjerrë makinat në ankand, por t’i shesë përmes specialistit britanik Tom Hartley, i njohur për shitjen e makinave klasike dhe garash. Në vitin 2024, Hartley pritej të mbyllte vitin me shitje prej 332 milionë eurosh, dhe nëse shet disa nga makinat e Ecclestone para fundit të vitit, kjo shifër mund të rritet ndjeshëm.
/OraNews