Leo Messi nxjerr në treg verën e vet! Ja sa kushton një shishe
Të gjithë mund t’i marrin përmes dyqanit online të futbollistit apo kompanisë
Lionel Messi edhe pse është në perëndim të karrierës së tij, emri dhe marka e tij vazhdon dhe shet në sektorë të ndryshëm.
Ai është figura qendrore e MLS, reklamon Apple TV, nxjerr pijet e tij energjike, ka nisur “Messi Experience” që bën xhiron e botës, muajt e fundit nxori parfumet e para dhe tani hyri në fushën e verës. Konkretisht, ai ka bashkëpunuar me kompaninë “ MM WINE MAKER ” për të krijuar diçka të re për veten e tij.
“Zoti i dha njeriut ujin, tokën dhe diellin. Gjeniu i njeriut, i cili duke bashkuar tokën, diellin dhe ujin, kultivoi vreshtin dhe krijoi pijen më të vjetër në botë, verën: nektarin hyjnor që tregon historinë e jetës dhe feston përjetësinë e dhuratave qiellore. MM Winemaker ia ka kushtuar këtë njohuri lojtarit më të madh të të gjitha kohërave: Lionel Messit”, thotë kompania për këtë bashkëpunim.
Ndërsa vazhdon për verërat e kampionit të botës me Argjentinën se “koleksioni i Messit është më shumë se një seri verërash. Ai është frymëzuar nga angazhimi për të kapur thelbin e kohës, përkushtimit dhe pasionit që karakterizojnë futbollin dhe artin e prodhimit të verës. Çdo shishe është një reflektim i këtij shkrirjeje, duke synuar të ofrojë momente të paharrueshme për ata që e shijojnë atë”.
Kështu u krijua seria e re “Lionel Goat 10”, e përbërë nga “Puglia Primitivo IGT” dhe “Sicilia Syrah IGT” dy verëra të kuqe të korrjes 2022 nga Italia. Të gjithë mund t’i marrin përmes dyqanit online të futbollistit apo kompanisë me çmimin 62 euro për shishe./gsh