Life Style

Sotiraq Bratko: Bukuroshet e Tiranës dhe prapaskenat me Elvira Diamantin

“Sa keq më vjen që s’jam piktor, po të isha Teut, do të pikturoja tërë jetën, vetëm sytë e tu”. Si Jani, te filmi “Shokët”, kanë menduar shumë të tjerë, të shihnin sytë e Elvira Diamantit. Ende mendojnë… Egërsia e bukur e tyre, shpesh nuk ishte vetëm pjesë e karakterit të filmit, ishte edhe e saj. Kolegët e dinin ndaj ‘mateshin’ mirë në xhirime. Por Diamanti ka qenë vetëm njëra nga partneret e filmave, ku ka luajtur aktori korçar, Sotiraq Bratko. Tirka, i “Zonjës nga qyteti”, i ka pasur marrëdhëniet njësoj të mira, qofshin këto kolege të vështira, qofshin të qeshura, siç ishin gjithnjë ditët për grupin e aktorëve, te filmi që s’lodhemi së pari as sot. Violeta Manushi, Yllka Mujo, Rajmonda Bulku… Si kanë qenë ditët e tyre në Tushemisht, pasi kamera fikej?! Ç’ëndërronin aktorët e rretheve për të bukurat e Tiranës?! Sotiraq Bratko këto vitet e fundit që është rikthyer në Shqipëri, nuk i kanë munguar rolet, por me gjithë vitet që kanë kaluar, nuk i ka shpëtuar nofkës ‘Tirkë’, duke e mbajtur kështu një personazh gjithnjë të pranishëm në ekran, sado që për më shumë se 21 vite, u detyrua të bënte punë larg aktrimit, në emigracion…

Meqenëse ju kisha parë vetëm në rolet e filmave të dikurshëm, m’u duk se thinjat, mjekra e zbardhur, ishin vetëm të ‘Doktor Shusterit’, por në fakt vitet kanë kaluar. Për një kohë të gjatë ju nuk jeni marrë fare me teatër. Kur u rikthyet?

Jam kthyer vetëm dy vite më parë. U largova në Greqi në vitin 1992, pra pak më tepër se 20 vjet, nuk kam qenë fare i pranishëm. Megjithatë, më vjen shumë mirë që njerëzit nuk më kanë harruar asnjëherë. Madje, për shkak të filmave që transmetohen shpesh në Tiranë, mendonin se unë jetoja në Korçë, ndërsa në Korçë, mendonin se kisha ardhur në Tiranë. Askush nuk mendonte se isha larguar. Kjo është ndjesi e mirë për mua, në një mënyrë kam qenë gjithnjë prezent.

Rikthimi në Shqipëri përkthehet menjëherë me kthim në teatër?

Unë me atë kisha jetuar, madje e zgjata tepër kthimin. Familja ime ende jeton në Greqi, por meqenëse e ndjenin vazhdimisht vuajtjen time të brendshme, mungesën e teatrit tek unë, më shtynë të kthehesha, të bëja gjënë që doja, që kisha pritur kaq shumë vite. Po, u riktheva menjëherë në teatër. Nisën rolet e para në Teatrin e Korçës, sapo erdha.

Ky i juaji mundet të jetë një nga profesionet më të vështira për t’u ndarë. Për shumë nga kolegët tuaj, pas ’90-ave nuk ka qenë koha më e mirë, por ndenjën. Ju, pse ikët?

Arsyet, siç mund të mendohet, ishin familjare. Nuk ishin probleme ekonomike, as dëshirë për t’u larguar nga teatri. Në një moment në vitin 1993, ishte e detyrueshme për mua ikja në Greqi, por nuk mendova se do të qëndroja aq gjatë. Ideja e parë ishte për të ndenjur rreth gjashtë muaj. Por në atë kohë, ra shumë interesi për të punuar në teatër, askush nuk po i kushtonte më vëmendje. Ndërkaq, ndiqja që gjendja në Shqipëri po përkeqësohej edhe më, ndaj vendosa të rrija e të punoja atje.

Ku punuat?

Emigracioni mbetet emigracion, aq më tepër kur vjen nga një profesion artist dhe përfundon punëtor krahu, përjetimi është edhe më i rëndë. Kjo ishte një sakrificë e jashtëzakonshme. Por mirërritja e fëmijëve ishte prioritare, do sakrifikoja për ta. Sot ata janë të rritur, nuk kam më detyrime të atij lloji. Rierdhi më në fund dita t’i rikthehem punës sime, asaj me të cilën flija e zgjohesha çdo mëngjes, asaj që më linte pa gjumë. Drejtoresha, Zamira Kita, më ofroi role menjëherë dhe tani ndihem si atëherë, pjesë e trupës së Teatrit të Korçës…

Me gjithë keqardhjen që mund të keni, atëherë, më shumë sesa si pjesë e Teatrit të Korçës, identifikoheshit nga filmat… Jani, Nesti, Tirka…

Është e vërtetë dhe nuk më vjen keq aspak, sepse impakti i filmit është shumë më i madh. Në vitin 1973, kur unë u bëra pjesë e Teatrit të Korçës, ai ishte në pjekjen e tij. Aq sa nuk mund të mendohej një film pa një aktor nga Korça.

Po, por Tirka, te “Zonja nga qyteti”, e mori emërimin në Tiranë. E synonit edhe ju këtë gjë atëherë, përtej filmit?

Jo, as atëherë e as tani. Mbase ka qenë dëshira e shumë aktorëve, por unë e shoh të vështirë transferimin, ndryshimin e jetës, të gjitha.

Pse? Apo sepse po t’ju shihnin në qytet, me Bulkun ose Mujon, ndiheshit si në qytetin sivëlla tuajin, Parisin… Ishin vajza të bukura!

Epo edhe ne, nuk ishim të këqij…

Parafytyroj një grup të rinjsh që kalonin njësoj mirë si në filmat “Zonja nga qyteti’ e ‘Shoqja nga fshati”. Ç’kujtime keni nga xhirimet e këtyre filmave?

Ishin kohë shumë të bukura, kemi qenë të gjithë si një familje e madhe me në krye Violeta Manushin që na trajtonte të gjithëve si fëmijë, ndoshta edhe pse nuk kishte vetë të tillë. Madje, edhe kur vija në Tiranë, sa më shihte, më thoshte, kalo nga shtëpia se kam bërë groshë. Ishim grup shumë simpatik, shëtisnim e qeshnim në Pogradec pas xhirimeve, qëndronim gjithë kohës bashkë.

Bashkë, bashkë, por këto vajzat e bukura, kishin edhe një jetë të tyre përtej punës…

Ky ishte një aspekt jo fort i lehtë. Edhe unë kam qenë i dashuruar në kohën e këtyre xhirimeve. Partnerja ime nuk ishte pjesë e rretheve artistike dhe është shqetësuar më shumë se një herë, pikërisht për shoqërimet që thoni, sado që ne të gjithë, nuk mund të qëndronim veçse si miq njëri me tjetrin. Njësoj si për mua mund të ketë qenë edhe për vajzat.

A ka pasur ndonjë rast kur ju e keni ndjerë këtë? Kur shihnit ndonjë ‘rrezik’ sado që mund të ishit në rol?

Rrezik jo, por po ta dije që x aktore ishte e lidhur me një djalë, gjë që po të ishte, merrej vesh menjëherë, një farë stepjeje e kishe. Kujtoj për shembull filmin “Shokët”, ku kam pasur partnere, Elvira Diamantin. Aty mund të kishte edhe ndonjë skenë gjoja komprometuese. Mirëpo, Elivra, nuk se ka qenë nga aktoret më ‘të buta’. Atë ashpërsinë që ia tregonin sytë, e ka pasur pjesë të karakterit. Si të mos mjaftonte kjo, ti shihje edhe një djalë në motor që ndiqte xhirimet e priste që Elvira të mbaronte… Mos i shihni këto gjëra në kontekstin e sotshëm të kohës, tani me to vetëm mund të qeshim.

Pra, po thoni që, teksa ju duhet ta qëllonit Teutën me shpullë te filmi “Shokët”, duhet ta kontrollonit dorën mirë për shkak të partnerit të aktores…

(qesh) Nuk ka qenë tamam kjo situata, por tani që e kujtoj, kur po xhironim pjesën e shpullës, unë u përpoqa të mos e prek shumë, pra të ishte pikërisht një shpullë filmike. Mirëpo, pas dublës së parë, Elvira më thotë: S’ditke fare të qëllosh. I thashë, prit se ka dubël tjetër. Aty e mbështolla dorën mirë, aq sa menjëherë pas kësaj, xhirimi u ndërpre e grupi xhirimit po më thoshin: Ç’bëre kështu!? E kërkoi vetë, u thashë… Natyrisht këto ishin episode që e bënin më të bukur të gjithën, e pikërisht për këtë, lënë kujtime shumë të bukura. Madje më vonë, në një tjetër skenë kur Elvira duhet të qante, por nuk i vinte për të qarë, erdhi më tha a më qëllon me shpullë, ndoshta qaj.

Me Diamantin, përveç se te “Shokët”, keni luajtur edhe te “Të shoh në sy”, pastaj te “Shoqja nga fshati”. As Nesti dhe as Jani nuk kanë qenë karaktere simpatikë. Krejt tjetër kur vjen puna te marrëdhënia e Tirkës me Lulen…

Ndoshta, prandaj, pikërisht Tirka është roli që më shumë nga të tjerët, mbahet mend prej meje.

Ç’pengesa mund t’i dalin aktorëve gjatë xhirimeve, nga ato që ndërpresin punën…

Këto që po më kërkoni kërkojnë ca kohë t’i sjellësh në mendje… Po ja, e kujtoni skenën që duhet të lanim dhëmbët në mëngjes te çezma e fshatit?! Paralelisht, unë isha pjesë edhe e një shfaqjeje teatrale dhe më duhet të lëvizja vazhdimisht. Ndërsa prisnin mua, kolegët kishin larë dhëmbët rreth 20 herë, aq sa më thanë se nuk i kishin pasur kurrë kaq të bardhë.

Një skenë që e parafytyroj të vështirë te ‘Zonja nga qyteti” mund të ketë qenë ajo e shirave dhe e përmbytjeve të fshatit…

Ajo ka qenë shumë e bukur dhe po, vërtet e vështirë sepse ato xhirime janë në ditët më të ftohta të dimrit, ndërkohë që ne duhet të ishim krejt të lagur. Ato skena janë xhiruar në Qafë Thanë. Aq ftohtë ishte jashtë sa që, gjatë ndërprerjes së xhirimeve, për të pritur, ne qëndronim brenda në ujë sepse ishte më i ngrohtë se temperatura jashtë tij. Mbaj mend që Kinostudioja, për këto skena, na pati sjellë konjak, të ngroheshim.

Pitë konjak vajza e djem?  Aq sa për t’u ngrohur, apo sa ta fillosh është puna?

Epo pse, vajzat nuk kishin ftohtë?! Të gjithë pimë e të nesërmen, ca nga konjaku e ca nga të ftohtët, nuk u ngritëm dot për xhirime, kemi fjetur rreth 20 orë.

Të dy, “Shoqja…” dhe “Zonja..” janë vënë në teatër përpara se të bëheshin filma apo jo?

Po, janë vënë pikërisht në Korçë. Madje, ka ardhur vetë Enver Hoxha, në vitin 1974 për të parë “Zonja nga qyteti”. Meqenëse u bë zhurmë e madhe për shkak të suksesit, Komiteti i Partisë së Korçës e ftoi për të ardhur për ta parë në Korçë shfaqjen. Erdhi papritmas, asnjë nuk e mendonte. Natyrisht që atë ditë, ne dhamë maksimumin. Ajo ishte një shfaqje shumë realiste. Enveri madje, na tha pas shfaqjes që “këtu trajtohen probleme të kohës. Kjo grua duhet të bëhet shembull për mënyrën se si hyn në jetën fshatare”. Enveri foli me superlativa për shfaqjen. Regjisor ishte Dhimitraq Orgocka. Por aty duhet të theksoj lojën e bukur të Stavri Shkurtit, dhe të madhit, Pandi Raidhi. Në fund, tha me zë të lartë “Pashë dy orë komedi, por m’u duk sikur ishte vetëm dy minuta”. Kjo na dha shumë krahë, pasi më vonë vumë në skenë “Shoqja nga fshati”. Edhe kjo komedi u bë film, pra të dyja komeditë tona u bënë ndër filmat më të shikuar të të gjitha kohërave.

Sa real ishte mes jush mesazhi i filmit? A ndiheshin aktorët e Tiranës më superiorë?

Epo, doemos, vinin nga kryeqyteti (qesh)… Bëj shaka, ne ishim të rinj, thuajse moshatarë, shijonim atë që bënim, kënaqeshim. Nuk besoj që ndodh më sot e njëjta gjë, përveç se nuk xhirohen më filma. Edhe me kohën që na mbetej, kënaqeshim njësoj. Tani, kaq vaj nuk janë asnjëherë punët. Për shembull është gjithnjë njëri nga grupi për të cilin/ën të tjerët mendojnë se është i paaftë, por nuk hapin dot gojën (sado që kjo është e dukshme në aktrim). Nuk e bëjnë as sot sepse cenojnë interesat e tyre, as atëherë sepse kishin frikë.

A kishit elementë të tillë në grup?

Është e vërtetë që elementë të tillë ka gjithnjë. Jo, nuk mund të flisnim rreth këtyre gjërave, sepse do ishte i dërguari i dikujt, vetëm në rastin që mungesa e talentit ishte fare e dukshme dhe zëvendësimi bëhej i domosdoshëm. Por edhe kjo bëhej nga regjisori, që nga ana tjetër duhet të kishte kujdesin e tij.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button