Si ankthi po ndikon në lidhjen tuaj në çift dhe si ta luftoni atë?!
Ankthi mund të jetë një ndikues i madh i marrëdhënieve, i cili jo vetëm që të pengon të jesh i/e hapur dhe i/e vërtetë me partnerin/en tënd/e, por krijon distancë emocionale dhe shpesh të vë në një pozicion ku shmang intimitetin. Por si ndikon konkretisht ankthi në marrëdhëniet e tua?
Përqendrimi absolut te vetja
A ke kapur ndonjëherë veten duke analizuar çdo lëvizje, fjalë ose gjest gjatë një momenti të thjeshtë me partnerin? Ky fenomen njihet si “vetë-vëzhgim” dhe është një tipar tipik i ankthit. Në vend që të shijosh momentin dhe të jesh vetvetja, mendja jote vrapon pas mendimeve si: “A po dukem mirë? Mos vallë thashë diçka të gabuar? A jam duke vepruar siç duhet?” Kjo mënyrë të menduari nuk të lë të jesh i/e pranishëm/e në moment. E vetmja zgjidhje është të besosh te vetja dhe te partneri yt. Lejoje veten të përjetosh momentin dhe të çlirohesh nga analizat e panevojshme.
Ankthi i “performancës”
Kur mendon për intimitetin fizik, shpesh shqetësohesh për rezultatet? Për shembull, gjatë një momenti të ngrohtë, mendon më shumë për mënyrën si do të përfundojë sesa për vetë eksperiencën? Kjo ndodh sepse ankthi e bën mendjen të kalojë përtej momentit të tanishëm. Sekreti është të ndalosh së vrapuari pas “perfeksionit” dhe të mësosh të qëndrosh në të tashmen. Përqendroje vëmendjen te gjërat që të japin kënaqësi në moment: prekja, afërsia, buzëqeshja e partnerit/es. Kur i lë gjërat të ndodhin natyrshëm, e shijon më shumë momentin dhe forcon intimitetin mes jush.
Shmangia
A të ka ndodhur që, kur një situatë të duket shumë e vështirë ose e “rrezikshme” emocionalisht, të përpiqesh ta shmangësh plotësisht? Ankthi shpesh na nxit të shmangim bisedat e sinqerta, momentet e ndjeshme ose edhe përvoja të reja me partnerin/en, thjesht nga frika se mos ndodhin gabime. Por shmangia është një armik i rritjes. Nëse nuk e sfidon veten të përballesh me frikërat e tua, marrëdhënia ngec në vend. Ndaj, në vend që të shmangësh, provo t’i afrosh. Shijo eksperienca të reja, inkurajo bisedat e sinqerta dhe prano ndryshimet natyrale që ndodhin në marrëdhëniet afatgjata. Vetëm duke u përballur me frikërat, do të ndërtosh një lidhje më të thellë dhe të shëndetshme./OraNews