Enver Petrovci: Djali që mashtroi Tan Bramën më ka mashtruar edhe mua, më ka mijëra euro borxh
Indrit Picalli, i njohur mes miqve dhe si Eni Picalli, bëhet sërish protagonist disa javë pas denoncimit për të te “Piranjat” nga koreografi Dritan Brama. Kësaj here është artisti i mirënjohur Kosovar, Enver Petrovci, i cili ka rënë në grackën e mashtrimeve të Indritit.
Kontaktin e parë me Indrit Picallin, Enveri e pati kur ai i kërkoi t’i jepte autorizim për të vënë në skenë tekstin “Pasaporta”, të cilin Enveri ia kishte premtuar një studenti të Altin Bashës. Mirëpo siç pretendon Petrovci, Eni këmbënguli që Enveri të mos ia jepte tekstin studentit, por atij në këmbim të 3000 eurove, dhe për ta siguruar këtë bashkëpunim, ka marrë telefonin e Enverit dhe i ka dërguar një mesazh Altin Bashës, ku e njofton për mosautorizim teksti. Të paktën kështu pretendon Enver Petrovci. Ky i fundit thotë se premtimi për 3000 euro nuk u mbajt kurrë nga Indrit Picalli.
Ndërkohë Picalli nisi një tjetër bashkëpunim me Enverin, duke i kërkuar që të vendosë në skenë tekstin “Adrianës”, ku në kontratën që ka firmosur me Enverin, ky i fundit do të merrte rreth 13500 euro, si autor, aktor dhe regjisor, por edhe këto para ai thotë se nuk i ka marrë kurrë, edhe pse shfaqja u miratua dhe paratë nga Bashkia u dhanë. Në projektin “Adrianës”, Indrit Picalli përfshiu dhe një aktore të re, Altea Alushi, të cilën e prezantoi para Enverit si të fejuarën e tij.
Kjo e fundit sipas Enverit ishte jo korrekte, dhe u bë arsyeja se pse shfaqja nuk vijoi më tutje. Madje Enveri në rrëfimin e tij tregon se Altea një ditë gjatë provave, humbi telefonin personal dhe i kërkoi ndihmë Enverit për të blerë një të ri, dhe paratë për telefonin nuk ia ktheu kurrë, pavarësisht se për këtë marrëveshje doli garant edhe Indrit Picalli. Kur Enveri pa se paratë e tij nuk po merreshin, nisi të bëjë disa lëvizje për të kuptuar ngërçin. Ai mësoi se paratë e projekteve ishin dhënë nga Bashkia e Tiranës dhe kishin kaluar në Thesarin e Shtetit, i cili i kishte shpërndarë paratë në OJF-në e Indrit Picallit, “Teatri Magjik”.
Gjatë një bisede të regjistruar nga regjisori i mirënjohur Ilir Harxhi, Indriti pranon se paratë janë marrë, por nuk i ka marrë ai, dhe ndër të tjera premton se Enverin do e shlyejë shumë shpejt, por premtimi ende nuk është mbajtur. Një gjë e kuptueshme, nëse marrim parasysh edhe disa rrëfime të tjera të bëra nga Enver Petrovci. Ai tregon për gazetarin e “Piranjave”, Freard Rista, se Indrit Picalli e ka ndihmuar për të marrë pasaportën te Drejtoria e Policisë në Tiranë dhe përballë Enverit më pas ka pretenduar se polici i ka kërkuar 100 euro për lëshimin e pasaportës, shumë të cilën Enveri është detyruar më pas t’ja japë Indritit.
Më tej aktori Kosovar tregon se ka kërkuar ndihmën e Indritit për të instaluar internetin në banesë në Tiranë dhe i ka dhënë lekët në dorë për 1 vit abonim, por pas 1 muaji interneti u shkëput, pasi Indriti kishte paguar vetëm për një muaj.
Dhe për këdo që është kurioz të dijë se përse Enveri kishte besim të verbër te Indriti, aktori Kosovar tregon se në njohjen e tyre të parë, Indriti i ka kërkuar 300 euro borxh dhe ia ka kthyer brenda afatit. Kjo ishte dita kur Eni Picalli fitoi besimin e Enver Petrovcit, dhe gjërat u përkeqësuan deri aty, ku sot shuma e papaguar që pretendon Enveri, ka shkuar në rreth 18 mijë euro. Për këtë të cilën Enveri e quan mashtrim, ka bërë dhe një denoncim në Policinë e Tiranës./Emisioni “Piranjat”