Life Style

Matilda Makoçi, ylli i rinisë sonë që na bëri të ëndërrojmë (pavarësisht tragjedisë së saj)

Nga Rudina Xhunga

Matilda Makoçi u rikthye (disa vite më parë). Në një mbrëmje modeste, duke recituar poezi dhe kërcyer, e rrethuar me përkujdesje nga njerëzit e dashur të asaj nate të shtunë.

Qysh atë mbrëmje, media i ka përplasur prozhektorët në fytyrë, duke kërkuar e rrëmuar, për të zbuluar, a e ka thënë apo jo Matilda, që Edi është shoku i saj i dashur, apo shoku i rinisë?! I ka thënë apo jo, suksese në misionin e tij, babait të djalit të saj?

Po ç’rëndësi ka dreqi ta hajë!

Matilda Makoçi nuk është vetëm shoqja e rinisë së Ramës, është edhe ylli i rinisë sonë, që i jemi vënë nga pas me mikrofon në gojë, sot. Është aktorja e dashur, që na ka bërë të ëndërrojmë. Ej, ju kujtohet?

Duam të gjejmë a e përdori Rama, a ia ndryshoi fjalitë “Shqiptarja” dhe po e përdorim vetë, po keqpërdorim një grua që tenton të kthehet mes nesh, gjithë frikë, e lodhur, e ndrojtur, e frikësuar nga publiciteti që s’kërkon. Një grua që do vetëm të kthehet në jetë, në film, në art.

“Nuk do i them jo asnjë projekti që më propozohet,” – tha, për herë të parë, pas kaq vitesh në heshtje dhe larg vëmendjes publike, e bukura e kinematografisë shqiptare.

Kur e dëgjon të recitojë, ndjen se koha ka ndalur në zërin e saj. Ai zë, si atëherë. Që të rikthen në kohë, të prek dhe të tërheq në emocion e mall për vitet e tua, jetën tënde. Çfarë zëri, çfarë Matilde!

Kjo grua që ka bërë luftën e saj për jetën, kjo grua që nxori kokën nga harresa, e mbuluar me një kapele roli, për të thënë dua të jetoj, dua të kthehem.

Kjo grua, çfarë mëkati ka bërë, që ta trembim e fyejmë kështu, duke i kujtuar shëndetin mendor, ilaçet, vuajtjet? Po ku e dimë ne, çfarë ka ndodhur me jetën e saj? Ne që s’dimë ç’bëhet me tonën?

E dashur Matilda, që u ktheve të lexosh poezi, me vitet e tua mbi fytyrë, pa botox, pa ndërhyrje, pa dieta, pa maska, pa mërira, pa poza, ti je më e bukura e kolegeve të tua, që mbetën kur ti ike. Vendi yt ka qenë gjthmonë bosh, duke të pritur.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button