SPAK zbulon laborator droge, aksion te Kodra e Diellit dhe Fushë Krujë për llogari të spanjollëve
Nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion po zhvillohet një aksion i gjerë antidroge në Tiranë dhe në periferi të saj.
Burime për Top Channel bënë me dije se aksioni vjen pas një hetimi disamujor, ndërsa dyshohet se në një banesë private në Qerekë të Niklës, në Fushë-Krujë, është zbuluar një laborator kokaine.
Kontrollet vijojnë edhe në zona të tjera të kryeqytetit, kryesisht në disa banesa, ndërsa ka pasur edhe disa të arrestuar, por ende nuk dihet saktësisht numri, pasi operacioni vijon. Në shënjestër mendohet se është një grup kriminal që shpërndan lëndë narkotike të forta.
Ky aksion vjen një ditë pas takimit të drejtorit të përgjithshëm të Policisë Ilir Proda me zyrtarë të DEA-s në Athinë. Në aksion kanë marrë pjesë disa agjenci ligjzbatuese. Në krye mësohet se qëndrojnë SPAK dhe autoritetet nga Spanja, për llogari të të cilëve u krye ky operacion. Mësohet se po ekzekutohen disa urdhër arreste të lëshuara me vendim të GJKKO./Top Channel