Mbi 1 milionë makina në rrugët e vendit, shqiptarët po heqin dorë nga “Benzi”

Për herë të parë në Shqipëri, numri i mjeteve rrugore në qarkullim ka kaluar shifrën 1 milionë. Sipas të dhënave të INSTAT, në fund të tremujorit të dytë të vitit 2025 në rrugë qarkullonin 1.002.629 mjete, prej të cilave 810,129 janë autovetura.
Megjithëse Mercedes vijon të mbetet marka më e pranishme në totalin e flotës kombëtare, me afro 18% të mjeteve, pozita e tij si “mbreti” i regjistrimeve të reja është rrëzuar. Volkswagen ka kaluar në krye me 20,1% të regjistrimeve gjatë tremujorit, ndërsa Mercedes ndjek me 15,8%.
Ky ndryshim shënon një prirje të re tek drejtuesit shqiptarë, të cilët po zgjedhin makina më ekonomike dhe më të përshtatshme për kushtet aktuale të infrastrukturës, ndërkohë që Mercedes prej kohësh shihej si simbol i forcës dhe qëndrueshmërisë në rrugët shqiptare.
Edhe pse ka pasur përpjekje për rinovimin e flotës, mjetet e vjetra vijojnë të dominojnë: mbi 590 mijë autovetura kanë vjetërsi mbi 15 vjet.
Tirana mban peshën kryesore me 34,8% të mjeteve në qarkullim, e ndjekur nga Durrësi me 13,6%, ndërsa Gjirokastra dhe Kukësi kanë përqindjen më të ulët.
Gjatë tremujorit janë regjistruar për herë të parë 26.976 mjete, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të vitit regjistrimet e reja kanë arritur në 47,459, një rënie prej 7,3% krahasuar me një vit më parë, pavarësisht rritjes me 9,6% të flotës totale.