Ndryshimet klimatike po ndikojnë në cilësinë e gjumit?
Ndryshimet klimatikë po çojnë në humbje të mëdha të gjumit për shkak të temperaturave të larta gjatë natës. Sipas raportit të fundit të Lancet mbi shëndetin dhe klimën, temperaturat e larta natën shkaktuan një rritje prej 5% të orëve të humbura të gjumit në mbarë botën gjatë pesë viteve të fundit, krahasuar me periudhën 1986-2005.
Kjo është hera e parë që ky raport prestigjioz mjekësor shqyrton këtë tregues. Humbja e gjumit arriti kulmin në vitin 2023, vitin më të nxehtë të regjistruar, ku u regjistrua një rritje prej 6%.
Raporti i tetë i Lancet mbi shëndetin dhe ndryshimet klimatikë, i hartuar nga 122 ekspertë globalë, tregon se temperaturat e larta, thatësira dhe shirat e shumtë po ndikojnë gjithnjë e më shumë në shëndetin e njerëzve. Në vitin 2023, humbja globale e orëve të mundshme të punës arriti në një nivel rekord prej 512 miliardë orësh për shkak të temperaturave të larta. Vdekjet e lidhura me temperaturat e nxehta tek njerëzit mbi moshën 65 vjeçare arritën nivelet më të larta të regjistruara, 167% më të larta se në vitet 1990.
Jeremy Farrar, shkencëtari kryesor në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, tha:
Kjo nuk është vetëm për ngjarjet ekstreme të motit. Kjo është për çdo javë, çdo muaj të vitit dhe ndikimin në shëndetin e të gjithëve.
Në shumë vende, temperaturat e natës po rriten më shpejt se ato të ditës. Përveç ndikimit në gjumë, mbinxehja gjatë natës zvogëlon aftësinë e trupit për t’u ftohur dhe për t’u rikuperuar nga nxehtësia e ditës, duke përkeqësuar vdekjet gjatë valëve të nxehtësisë, veçanërisht për ata që kanë probleme me zemrën dhe frymëmarrjen.
Studimi përdori të dhëna historike të gjurmimit të gjumit dhe temperaturës për të vlerësuar efektet e temperaturave të larta të natës në gjumë gjatë viteve të ndryshme. Rritja më e madhe e humbjes së gjumit u regjistrua në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Sub-Sahariane.
Edhe në klimën më të butë, mbinxehja gjatë natës mund të përkeqësohet nga dizajni i dobët i ndërtesave që e kanë temperaturën e brendshme më të lartë se atë të jashtme. Ndërtesat mund të ventilohen më mirë ose të kenë më shumë hije për të ulur sa më shumë temperaturën gjatë ditës dhe për të parandaluar ruajtjen e nxehtësisë gjatë natës. Përdorimi i energjisë për kondicionerët pritet të trefishohet deri në vitin 2050.
Një mungesë gjumi ka ndikime të drejtpërdrejta në përqendrimin, cilësinë e jetës dhe mund të ketë pasoja të tjera për shëndetin. Kevin Lomas, profesor i simulimeve të ndërtesave në Universitetin e Loughborough, që studion lidhjen mes nxehtësisë dhe gjumit, ka zbuluar se në Mbretërinë e Bashkuar, temperaturat e dhomës së gjumit mbi 27°C janë prag i atij momenti kur njerëzit kanë vështirësi në ftohjen e trupit.
Kur ndërhyni në sa gjumë bëjnë njerëzit, pasojat nuk janë vetëm gjëra të vogla… Ato mund të jenë afatgjata.