Edlira Çepani për bashkinë e Tiranës? E pse jo?

Në një kohë që Partia Socialiste e ka treguar emrin e kandidates së saj, brenda opozitës kanë nisur të qarkullojnë në prapaskenë një sërë emrash për kandidatin që do të sfidojë Ogerta Manastirliun për Bashkinë e Tiranës.
E teksa Ilir Alimehmeti dhe Jorida Tabaku, të cilët u përmendën fillimisht si kandidatë potencialë, tashmë e kanë refuzuar një garë të tillë, ka nisur vorbulla e gjetjes së një emri përbashkues të shumicës dërrmuese të kampit opozitar.
Një emër i tillë po qarkullon së fundmi në media. Bëhet fjalë për bashkëshorten e ish-deputetit të ndjerë të PD-së, Gerti Bogdani, Edlira Çepani, një figurë e shoqërisë civile, që shihet si kandidate e mundshme për Tiranën.
Dhe në fakt pyetja që lind në këtë fazë ku opozita do të tentojë kthesën pas humbjes katastrofike në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, e pse jo Edlira Çepani?
Burime nga selia blu, bëjnë me dije se emri i saj është i mirëpritur, por që shihet me rezerva pasi nuk është një figurë politike.
Në fakt një figurë jopolitike dhe përbashkuese është kërkuar me forcë nga parti të djathta që janë pjesë e koalicionit opozitar dhe jashtë tij, por në opozitë, siç është “Mundësia”, kryetari i së cilës Agroin Shehaj ka folur pikërisht për një figurë të tillë të pa-implikuar në mëkatet e politikës aktive të deritanishme, por pa prozuar emra konkretë.
Dhe në fakt Edlira Çepani, që njihet si për formimin dhe karrierën e saj, njihet edhe për kauzat qytetare, veçanërisht në ato të të drejtave të grave.
Ajo tentoi katapultimin në politikë si bashkëthemeluese e lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, por që marrëdhëniet e saj me këtë lëvizje do të përfundonin para se të nisnin.
Po ashtu, një tjetër faktor pozitiv dhe që mund të quhej politik, për të qenë kandidate përbashkuese e opozitës është dhe statusi i saj si bashkëshortja e ish-deputetit të PD-së, Gerti Bogdani, i cili edhe pse u nda nga jeta në moshë të re, arriti të fitonte respektin jo vetëm të ish-kolegëve të tij në selinë blu, por edhe në kampin e majtë.
Fundja një përballje mes kandidateve zonja Çepani dhe Manastirliu, mund ta bënte dhe vetë garën për bashkinë e Tiranës më interesante dhe model sa i përket fushatës.
Ndaj zgjedhja e Edlira Çepanit në këtë fazë ku gjendet PD-ja me 50 deputetë në Kuvend dhe pas një disfate të thellë mund të ishte vendimi i duhur për të tentuar rikthimin e besimit të qytetarëve.
Lidhur me këtë çështje u pyet sot edhe vetë kryedemokrati Sali Berisha, i cili iu shmang përgjigjes, teksa tha se ka mandatar Flamur Nokën, Belind Këlliçin dhe Ilir Alimehmetin për të negociuar një emër konsensual me partitë e tjera opozitare, në koalicion dhe jashtë tij.
Më tej, ai theksoi se vetë nuk është i gatshëm të prononcohet për të treguar se kush është kandidati i tij i preferuar.
“Kam ngarkuar një grup prej tre personash që do të negociojë me partitë e tjera për emrat. Noka, Këlliçi dhe Alimehmeti, të cilët do negociojnë me partitë e tjera. Nuk më shkon që të dërgoj për të negociuar dhe nga ana tjetër të them emra. Pasi të bien dakord vjen radha e kandidatëve. Unë nuk kam ndërmend të prononcohem për njeri pasi është proces, në të kundërt do të thosha ky është i preferuar”, tha Berisha.