VENDIMI për Inceneratorin e Elbasanit/ Dënohet me 10 vite burg Lefter Koka, Alqi Bllako me…
Gjykata e Posaçme e Apelit ka shpallur vendimet për të akuzuarit në çështjen e inceneratorëve, një skandal i madh korrupsioni që ka përfshirë figura të larta të politikës dhe administratës shtetërore. Dënimet janë të ndryshme për personat e akuzuar, të cilët kanë abuzuar me detyrën dhe kanë shpërdoruar fonde publike për ndërtimin e inceneratorëve, duke përfituar miliona euro në dëm të buxhetit të shtetit.
Lefter Koka, ish-ministër i Mjedisit, u dënua me 10 vite burg, ndërsa për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të vuajë 6 vite e 8 muaj burgim. Alqi Bllako, ish-deputet dhe ish-drejtor i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, shpallet fajtor dhe dënohet me 4 vite burg, me një dënim për gjykim të shkurtuar prej 2 vite e 8 muaj. Ndërkaq, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, dy emra të njohur në këtë çështje, u dënuan me 10 vite burg, ndërsa me gjykim të shkurtuar do të vuajnë 6.8 vite.
Stela Gugallja, e përfshirë gjithashtu në aferën e inceneratorëve, u dënua me 7 vite burg, dhe do të vuajë 4.8 vite, gjithashtu për shkak të gjykimit të shkurtuar. Po ashtu, Pëllumb Abeshi dhe Jonida Zeqo u dënuan me 4 vite burgim, dhe do të vuajnë 2.8 vite, pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar.
Në përfundim të vendimit, Apeli i Posaçëm la në fuqi edhe dënimet për disa të akuzuar të tjerë, mes të cilëve Bardhyl Çabiri, i cili u dënua me 2 vite burg, dhe Serafin Papa me 1.4 vite burg./gsh