Japonia do të testojë satelitin e parë në botë prej druri
Sateliti i parë prej druri në botë i ndërtuar nga studiues japonezë do të lëshohet në hapësirë më 5 nëntor, në një test të hershëm për përdorimin e lëndës drusore në eksplorimin e Hënës dhe Marsit. LignoSat, i zhvilluar nga Universiteti i Kiotos dhe ndërtuesi i shtëpive Sumitomo Forestry, do të shkojë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës dhe do të lëshohet në orbitë rreth 400 km mbi tokë.
I emërtuar sipas fjalës latine për “drurin”, LignoSat, me madhësinë e pëllëmbës së dorës, ka për detyrë të demonstrojë potencialin kozmik të materialit të rinovueshëm ndërsa njerëzit eksplorojnë jetesën në hapësirë.
“Deri më tani, asnjë vend nuk ka planifikuar të përdorë drurin në eksplorimin e hapësirës. Përdorimi i tij hap rrugën për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm dhe të përjetshëm në hapësirë, dhe unë dua që njerëzit në mbarë botën të dinë për një qasje të tillë,” tha Takao Doi, një astronaut me përvojë në misionin Space Shuttle, i cili studion aktivitetet e hapësirës njerëzore në Universitetin e Kiotos.
Drejt planit të tij 50-vjeçar për mbjelljen e pemëve dhe ndërtimin e shtëpive prej druri në Hënë dhe Mars, ekipi i Doi vendosi të zhvillojë fillimisht një satelit druri të certifikuar nga NASA për të provuar se druri është një material i shkallës hapësinore.
Druri i përdorur për këtë satelit vjen nga një lloj peme magnolia, që është honoki japonez. Tradicionalisht, është i lehtë për t’u përpunuar dhe rezistent ndaj copëtimit,” tha profesori i shkencave pyjore të Universitetit të Kiotos, Koji Murata.
Studiuesit zbuluan se honoki, i përdorur tradicionalisht për këllëfët e shpatave, është më i përshtatshmi për prodhimin e anijeve kozmike, pas një eksperimenti 10-mujor në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. LignoSat është krijuar nga druri honoki, duke përdorur një teknikë artizanale tradicionale japoneze pa vida ose ngjitës.
Studiuesit vunë në dukje se aeroplanët ndërtoheshin prej druri në fillim të viteve 1900 dhe ky material është më i qëndrueshëm në hapësirë sesa në tokë, sepse nuk ka ujë ose oksigjen që mund ta kalbë apo do ta ndezë.
Sateliti do të qëndrojë në orbitë për gjashtë muaj për të matur se si druri do të përballojë mjedisin ekstrem, ku temperaturat luhaten nga -100 në 100 gradë Celsius çdo 45 minuta./OraNews