Anglia, gjueti “bosëve” shqiptarë/ Fushatë e re kundër atyre që blejnë “skllevër” modernë për shtëpi bari
Shifrat e Ministrisë së Drejtësisë tregojnë se, në fund të marsit 2024, më shumë se 1200 shqiptarë mbaheshin në burgjet në Angli dhe Uells
Autoritetet angleze kanë nisur një fushatë të re për goditjen e bandave shqiptare që rekrutojnë njerëz për shtëpitë e barit në Mbretërinë e Bashkuar.
BBC i ka kushtuar një artikull bandave kriminale shqiptare që trafikojnë njerëz duke i detyruar të punojnë në fermat e kanabisit. Në artikullin me titull “Goditje bandave të kanabisit të skllavërisë moderne shqiptare” thuhet se policia e Mançesterit arrestoi 46 shqiptarë në vitin 2023 dhe gjeti më shumë se 10 milionë paund kanabis.
Sipas të njëjtit shkrim, grupet kriminale blejnë makina të shtrenjta dhe rroba e ora të stilistëve të njohur. Në këtë mënyrë ata kthehen në vendin e tyre gjë që inkurajon një brez tjetër kriminelësh të vijnë në Mbretërinë e Bashkuar.
Drejtuesi i policisë, Joe Harrop thotë se grupet nga Ballkani Perëndimor ishin fokusi i një operacioni të fundit që ka përfshirë forca policore nga e gjithë Mbretëria e Bashkuar.
“Shpesh, bandat shqiptare kanë blerë njerëz për të punuar në Mbretërinë e Bashkuar në vende si fermat e kanabisit. Këto janë kushte të tmerrshme. Ata jetojnë dhe flenë brenda fermave dhe nuk mund të largohen.”– tha Harrop.
Shifrat e Ministrisë së Drejtësisë tregojnë se, në fund të marsit 2024, më shumë se 1200 shqiptarë mbaheshin në burgjet në Angli dhe Uells, më shumë se çdo kombësi tjetër e huaj./gsh