Totti nuk e përjashton rikthimin në futboll: Disa ekipe të Serie A më kanë kontaktuar
Francesco Totti nuk e përjashton një rikthim në futboll: “Në jetë, kurrë mos thuaj kurrë. Tashmë ka pasur lojtarë në të kaluarën, që janë rikthyer të luajnë shumë vite pas përfundimit të karrierës së tyre.
Disa skuadra të Serie A më kanë kontaktuar kohët e fundit. Ndodhi një muaj më parë dhe më bëri të ndihem pak i çmendur, hyra në mendime. E pyeta veten: pse më duan edhe pas kaq vitesh? Për dy muaj do të isha gati…”
Totti u ndal edhe te një hipotezë e bujshme, të shpallur tashmë në dokumentarin “Eroici”, në të cilin shprehet: “Duke parë çfarë ndodh sot, unë mund të luaja futboll edhe në moshën 48 vjeç”.
Fjalë këto të evidentuara edhe në dokumentarin e festimit të 100-vjetorit të “Corriere dello Sport”.
Drejtori Ivan Zazzaroni kishte folur edhe për këtë me Fabio Caressa në “Radio Deejay”, gjatë programit “Deejay Football”: “Me nivelin e ulët të futbollit tani, Francesco mund të kthehet kur të dojë. Në fakt, unë e di që ai është duke menduar për këtë”.
“Lazio? As që do ta kisha marrë në konsideratë, – shtoi Totti. – Është thjesht një shaka se do të jem gati për 2-3 muaj. Janë thënë shumë gjëra për mua, edhe pas kaq vitesh tërheqje nga futbolli profesionist.
Unë jam duke luajtur ende në moshën 48-vjeçare, nga gjysmë ore apo 20 minuta, por kjo duhet të përjetohet në varësi të kontekstit. Fakti se jam konkurrues ende brenda vetes nuk do të thotë se mund të kthehem…”/OraNews