Lajme

Detajet rrëqethëse nga vr*asja e 18-vjeçares Marigona Osmanit: “U që*llua me karikues telefoni e me shkop për gati 48 orë”

Me karikues telefoni e me shkop, për gati 48 orë ishte rrahur e ndjera Marigona Osmani, nga Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu të shpallur fajtor për vrasjen e saj.

19 faqe më shumë sesa aktgjykimi i parë, është aktgjykimi i dytë dënues ndaj Dardan Krivaqës e Arbër Sejdiut, të shpallur fajtor për vrasjen e Marigona Osmanit.

Rreth dy muaj pas shpalljes së aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues ka përpiluar edhe vendimin e plotë, me të cilin dënoi me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën e 15 vjet Arbër Sejdiun.

Në arsyetimin e gjykatës së Ferizajt thuhet se Krivaqa me dashje dhe në mënyrë mizore ka goditur deri në vdekje 18 vjeçaren me të cilën ishte duke bashkëjetuar.

“Sa i përket të akuzuarit D.K., nga provat e administruara gjykata ka konstatuar përtej dyshimit të bazuar se në veprimet e tij janë prezentë të gjitha elementet objektive dhe subjektive të veprës penale Vrasje e rëndë nga neni 173 par.1 nënpar.1.4 të KPRK-së, si në kohën, vendin dhe mënyrën e përshkruar si në dispozitivin e këtij aktgjykimi, me ç, rast i akuzuari me dashje, në mënyrë mizore duke e goditur me një kabllo të mbushjes së telefonit dhe me një shkop të zi e ka privuar nga jeta tani të ndjerën M.O., me të cilën ka qenë duke bashkëjetuar, ku vdekja e saj ka qenë e ngadalshme, si pasojë e përdorimit të forcës fizike në mënyrë graduale, kohë pas kohe për një periudhë kohore prej së paku prej 48 orëve, duke i shkaktuar dhembje të mëdha fizike dhe psikike. Se i akuzuari D.K. ka ushtruar dhunë posaçërisht të rëndë-ekstreme të rëndë ndaj të ndjerës M.O., vërtetohet edhe nga raporti i autopsisë nr.ref.MA21-… të dt.23.08.2021 të përpiluar nga eksperti mjeko-ligjor Prof. Dr.N.H., në të cilin raport janë të përshkruara në detaje të gjitha lëndimet e shkaktuara të shumëfishta trupore dhe shkaku i vdekjes së saj.”

Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim këtë rast, me arsyetimin se nuk ishte vërtetuar mjaftueshëm mizoria e kësaj vrasje, derisa në aktgjykimin e dytë përmenden hapat që ka ndërmarr gjyqtari për këtë.

“Andaj, nga e gjithë kjo që është konstatuar nga eksperti mjeko ligjor, si në raportin e autopsisë në të cilin raport në detaje janë shënuar të gjitha lëndimet trupore që i akuzuari ia ka shkaktuar të ndjerës për së gjalli, e të cilat lëndime kanë qenë të shumëfishta të quajtura në gjuhën mjekësore si politraumë, e të cilat lëndime janë sqaruar dhe konfirmuar nga eksperti mjeko-ligjor edhe në shqyrtimin gjyqësor, ku nga këto lëndime të shumëfishta të shkaktuara për së gjalli dhe në mënyrë graduale, eksperti ka konstatuar se viktima ka përjetuar dhembje posaçërisht të rënda dhe dhimbje të rënda, trupi gjykues vlerëson se në këtë rast mizoria është e pa kontestueshme.”
Asnjë rrethanë lehtuese nuk ka gjetur as këtë herë, Gjykata në Ferizaj, për Dardan Krivaqën, kur vendosi ti shqiptojë dënim kapital, derisa rrethana rënduese kishte shumë.

“Mënyrën dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, – ne mënyrën me barbare me privimin gradual nga jeta ne një ambient te mbyllur ne banese, ku e ndjera ka qenë krejtësisht e pa mbrojtur. I akuzuari ka qenë edhe më pare i dënuar me aktgjykime të shumta të formës së prerë për vepra penale të natyrave të ndryshme, Andaj, të gjitha këto veprime të të akuzuarit në unitetin e tyre tregojnë shkallën e lartë të pjesëmarrjes dhe shkallën e lartë të dashjes në kryerjen e veprës penale, ku nga kjo vepër penale janë shkaktuar pasoja të rënda në familjen e të ndjerës dhe është shkaktuar shqetësim i madh edhe tek qytetarët e Republikës së Kosovës..”

Krivaqa u shpall fajtor dy herë për veprën penale vrasje e rëndë, e Arbër Sejdiu për ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë.

18-vjeçarja Marigona Osmani vdiq më 22 gusht të vitit 2021./Tv Dukagjini/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button