Biologët e huaj zbulojnë ‘arin’ që ka Shqipëria!
Përgjatë lumit Vjosa fshihen thesaret më të çmuara të Shqipërisë. Shpellat e squfurit. Serban Sarbu dhe Jean-François, dy shkencëtarë, profesorë të biologjisë dhe gjenomikës, prej vitesh kërkojnë dhe zbulojnë thesaret që fshihen në shpellat shqiptare. Eksperienca e fundit qe e jashtëzakonshme, kur kalonin lumin për të shkuar në shpellat e Përmetit dhe ktheheshin po me not në Konicën e Greqisë, që të mos vonoheshin në kufi.
Këtë eksperiencë të bukur dhe të rrallë ata e rrëfyen në reportazhin e DritareTV, ndërsa zbulojnë çfarë fshihet në këto shpella. Pavarësisht vështirësive për të hyrë brenda tyre dhe rrezikut nga asfiksimi, këto shpella duhet të studiohen sepse veç të tjerash janë çelësi për të shpëtuar jetë njerëzish sepse përmes studimit të baktereve që jetojnë në to, do të krijohen antibiotikët. Ata thonë se është e rëndësishme të informohen njerëzit se këto shpella janë një thesar për vendin dhe duhet të mbrohen.
Unë jam biolog i shpellave i specializuar në studimin e shpellave që përmbajnë squfur hidrogjeni. Unë e bej këtë punë prej 38 vjetësh. Fillimisht kam filluar në Rumani dhe më pas në Itali e Greqi dhe në vende të tjera. Kohët e fundit po vizitojmë shpellat në Shqipëri. Këto shpella janë eksploruar nga hulumtuesit e shpellave të cilët i vizitojnë për të parë se sa të thella janë, sa vjeçare janë. Unë mund t’ju tregoj për biodiversitetin që gjejmë në shpella të tilla. Ne eksploruam dhe vëzhguam dy zona. Në Sarandopor, pikërisht në kufirin midis Shqipërisë dhe Greqisë sepse aty ka disa shpella që përmbajnë squfur.
Kohët e fundit shkuam në kanionin e Langaricës. Këtu ka disa hyrje të shpellave dhe njëra prej këtyre shpellave ka squfur në pjesën e poshtme. Është një shpellë shumë e vështirë nga ku duhet të zbresësh me litarë 80 metra për të arritur në fund të shpellës. Ajri është shumë i nxehtë, ndërsa përqendrim i oksigjenit në ajër është më i ulët se normalja e CO2 kështu që duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të shmangur çdo incident. Ajo që kemi zbuluar në këto shpella është se biologjia është shumë e pasur, burimi i ushqimit është në këto shpella. Ka shumë mikrobe që prodhojnë ushqim brenda shpellës, gjë që bën të mundur që organizmat të kolonizojnë shpellat. Ekziston një koloni prej 70,000 merimangash në zonën e Sarandoporit në shpellën e squfurit. Gjithashtu këtu kemi gjetur shumë merimanga, akrepa dhe organizma të tjerë që janë përshtatur me jetën e shpellave, kështu që biodiversiteti në këto shpella është jashtëzakonisht i lartë, ka shumë gjëra interesante për të studiuar dhe ne jemi vetëm në fillim të këtij studimi. Në të dyja shpellat kemi gjetur specie të reja për shkencën që nuk jetojnë askund tjetër në botë. Këto specie të zbuluara janë të reja për studiuesit që studiojnë grupe të tilla speciesh”, tregon ndër të tjera profesor Serbanit për DritareTV.
Përpos se janë çelësi për të shpëtuar jetë njerëzish, këto shpella spektakolare thotë biologu François, në të ardhmen do të sjellin shumë përfitime financiare. Ndaj ai bën thirrje që studiuesit shqiptarë të përfshihen në studimin e tyre dhe të zbulojnë këtë pasuri të panjohur të Shqipërisë.
“Nga të gjitha shpellat me squfur që kam parë në botë, këto këtu janë spektakolare. Unë dhe Serban kemi parë çdo shpellë me squfur në Evropë. Vitin e fundit kam qenë 4-5 herë në këto shpella. Sa herë që shkojmë zbulojmë gjëra të reja, sepse ka shumë gjëra për të parë përreth. Çdo herë që kthehemi zbulojmë lloje të reja bakteresh, kafshë të reja. Kjo është e pabesueshme. I gjithë ky biodiversitet ka ndikim shumë të rëndësishëm për njerëzimin sepse ato përmbajnë gjene që mund të jenë të dobishme për njerëzit. Në Belgjikë, profesionistët punojnë në shpella duke izoluar bakteret që grumbullohen në të gjithë shpellën dhe ata gjejnë antibiotikë. Këto shpella janë burim shumë i mirë i antibiotikëve për të luftuar sëmundjet. Pra çelësi i shëndetit të njeriut mund të jetë fshehur në këto shpella. Po ashtu është me rëndësi për ekonominë. Është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi me shkencëtarë vendas. Ne do takohemi me mikrobiologë nga Universiteti i Tiranës. Ideja është të gjejmë molekula të reja nga bakteret që rriten këtu. Kjo do sjellë përfitime për studiuesit shqiptarë, edhe për ekonominë e Shqipërisë. Nuk ka kuptim që t’i marrim ne edhe t’i çojmë në SHBA apo Belgjikë. Jo, ato janë pjesë e pasurive të panjohura të Shqipërisë. Ne e kemi parë peizazhin dhe natyrën e bukur që ka Shqipëria. Por nëntokë ka shumë pasuri që duhet të mbrohen, zbulohen dhe mund t’i sjellin vendit shumë përfitime financiare.
Shpellat me squfur janë të rrezikshme. Aroma e fortë si vezë e prishur. Në fakt mua më pëlqen ajo aromë. Jam një njeri i çmendur që e pëlqen këtë aromë, njerëz të tjerë ndoshta jo. Por në të vërtet kjo aromë është gaz toksik. Në shpella të tjera më është dashur të vendos maskë me oksigjen. Na nevojitet për të marrë frymë, ndryshe mund të vdesim. Por në Shqipëri nuk kam pasur nevojë, jam treguar i kujdesshëm. Për sa kohë e nuhas aromën jam në rregull. Në momentin që nuk e nuhas më, do të thotë që qelizat nervore në hundë janë vrarë nga gazi. Në këtë moment duhet të dalësh nga shpella sepse rrezikon të vdesësh.
Kështu që është një situatë paksa e frikshme. Por është pjesë e punës. Për mua, puna në biologji është pjesa më emocionuese. Kam shkuar në shumë vende të rrezikshme; në burime të nxehta, në shpella plot me gaze toksike apo edhe shkëmbinj nënujorë koralorë. Por kur sheh çfarë ka brenda, atëherë ia vlen të rrezikosh.”, thotë biologu François./SYRI.net