“Do takohet me njeriun që e mbajti në burg për 481 ditë”/ Çfarë shkruajnë mediat greke për vizitën e Belerit në Tiranë
Delegacioni i BE, pjesë e të cilit do të jetë edhe Beleri, do të zhvillojë në Shqipëri një vizitë 3-ditore
Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vizitën e Fredi Belerit si eurodeputet në vendin tonë.
Mediat greke shkruajnë se Beleri do të takohet me kryeministrin Edi Rama në datat 26-29 tetor, dhe e cilësojnë këtë si “takimi i vitit”.
“Beleri do të takohet me njeriun që e mbajti në burg për 481 ditë. Kryeministri Edi Rama do të presë në Tiranë Fredi Belerin, i cili është përfshirë në delegacionin e Parlamentit Europian për Komisionin Parlamentar të BE-së për Stabilizim-Asociiimin me Shqipërinë”,- citohet në median greke.
Delegacioni i BE, pjesë e të cilit do të jetë edhe Beleri, do të zhvillojë në Shqipëri një vizitë 3-ditore. Ky komision do të informohet gjithashtu nga ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato, në lidhje me zhvillimet për negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Takimi me Kryeministrin Edi Rama i komisionit ku do të jetë dhe Beleri parashikohet që të zgjasë rreth 45 minuta. Pjesa e axhendës së takimeve janë edhe përfaqësues të partive të tjera si dhe një takim me kryeparlamentaren Elisa Spiropali.
Beleri në një intervistë për televizionin grek SKAI ditën e sotme, komentoi hapjen e kapitujve të parë të Shqipërisë për negociatat me BE-në duke thënë se “vendi i Shqipërisë është në BE” Fredi Beleri u shpreh gjithashtu se në Konferencën e Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE u fol me terma të qarta edhe sa i takon mbrojtjes së minoritetit grek që është politikë e BE-së”.
Kujtojmë se Beleri u lirua pasi gjykata në Fier, ku ai po vuante dënimin me dy vjet burgim për blerje votash pranoi kërkesën e tij për lirim të parakohshëm. Beleri, 51 vjeç, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023 në Himarë. Ai u akuzua dhe u dënua për ofrimin e 360 eurove për t’i blerë tetë vota.gazeta-shqip.com