Sport

Zyrtare/ Ish-futbollisti i Interit merr drejtimin e Laçit

Tashmë është zyrtare, ish-futbollisti i njohur italian, Françesko Moriero, ka marrë drejtimin e skuadrës së Laçit.

Klubi kurbinas ka bërë edhe zyrtarizimin nëpërmjet faqes zyrtare.

Italiani 55-vjeçar është më i njohur për karrierën e tij si futbollist se sa si trajner.

Ai ka veshur fanellat e skuadrave të mëdha të Serisë A, siç janë Roma, Milani dhe Interi e Napoli, përveç Leçes, skuadrës së qytetit të lindjes.

Nuk është hera e parë që Moriero vjen në Shqipëri, ai ka drejtuar për pak muaj Dinamon në Kategorinë e Parë, nga janari deri në mars të vitit 2021.

Kujtojmë që Moriero erdhi te Dinamo bashkë me një tjetër emër të njohur, ish-sulmuesin e Juventusit, Fabricio Mikoli.

Ish-sulmuesi i djathtë ka drejtuar po ashtu disa skuadra në nivele të ulëta në Itali, ku më të njohura janë Leçe dhe Katania.

Ka drejtuar gjithashtu edhe Luganon në Zvicër, ndërsa tani është gati të drejtojë kurbinasit në Superiore, por do të ketë një mision shumë të vështirë, sepse ata mbajnë vendin e fundit aktualisht.

Së fundi te Laçi ka ardhur një tjetër italian, përgatitësi atletik Françesko Pasiatore. Ai e drejtoi këtë ekip në ndeshjen e fundit të kampionatit me Dinamon dhe e la të hapur mundësinë për të qenë trajner i parë, por drejtuesit e klubit kanë pasur tjetër mendim duke i besuar “timonin” e skuadrës një italiani më të njohur si Moriero.

55-vjeçari do të debutojë në ndeshjen me Vllazninë, që zhvillohet fundjavën e ardhshme. Kjo ndeshje shihet si një shans i fundit për kurbinasit, edhe pse më pas janë për t’u zhvilluar edhe tri faza të tjera të kampionatit. Laçi është në emergjencë pikësh dhe deri tani nuk ka marrë asnjë fitore./syri.net

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button