Pëllumb Kulla, për mikun e tij Arqile Lici: Ti e le këtë botë, por na mbeten kujtimet
Regjisori dhe dramaturgu i njohur Pëllumb Kulla, ka kujtuar në përvjetorin e ndarjes nga jeta, aktorin Arqile Lici.
“TË KUJTOSH NJË MIK!
Të kujtosh një mik që e ka lënë këtë botë, nuk ndodh në të gjitha ditët… Por megjithatë edhe ato janë shumë, shumë… Pastaj, vjen 11 tetori, kjo ditë e veçantë, që ti e kujton më shumë se në të tjerat.
Kjo më ndodh sot me Lean e paharruar, Arqile Licin e shtrenjtë.
Janë të shumta kujtimet e bukura të festave tona, kënaqësitë e bashkëpunimit në disa realizime skenike me të, nisur që nga roli i tij aq i freskët, i Leksit.
Ishte roli i tij i parë, në komedinë time të parë.
E pastaj ishim bashkë në të gjitha përjetimet tona të panumërta….
Them se kujtimet janë një lloj pasurie. Është e shpërndarë ajo, pasuri në foto, në video, në libra, në letra, në ëndrrat e shtratit.
Lea, o mik, ti më ke pasuruar.
Mirënjohje, Lea”, shkruan i emocionuar Pëllumb Kulla./aktoretshqiptare.com