Rrebeshe, stuhi dhe breshër/ Parashikimi i motit për ditën e sotme
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e mërkurë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme për shkak të masave ajrore të lagështa dhe më të freskëta me origjinë veriperëndimore.
Moti parashikohet në orët e para të 24-orëshit dhe deri në orët e mesditës me vranësira mesatare deri të dendura si dhe reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët dhe mesatar në formën e shtrëngatave. Në zonën e veriperëndimit dhe pjesërisht qendër reshjet në periudha tepër afatshkurtra me intensitet deri dhe të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër. Pas orëve të mesditës mot me alternime kthjellimesh dhe vranësirash të cilat do të shoqërohen me reshje shiu afatshkurtra dhe intensitet të ulët.
Era do të fryjë me drejtim juglindje – jugperëndim relativisht intensive me shpejtësi mesatare 3-10 m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare e kryesisht atë jugor dhe zonat luginore era bëhet intensive me shpejtësi 12-18 m/sek, shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 3-5 ballë./OraNews