Vendi

Propozohet drejtori i ri i Policisë së Shtetit, ja kush do të zëvendësojë Muhamet Rrumbullakun

Ai e ka nisur rrugëtimin e tij në uniformat blu në vitin 2005 fillimisht si specialist i policisë kriminale

Është propozuar drejtori i ri i Policisë së Shtetit, pas dorëheqjes së MuhametRrumbullakut.

Ilir Proda do të ketë në dorë drejtimin e policisë, teksa në mars të këtij viti kaloi edhe procesin e vetting-ut të Policisë së Shtetit.

Me një karrierë gati 19 vite në Policinë e Shtetit, Ilir Proda së fundmi mbante prej marsit të vitit të kaluar postin e drejtorit të Policisë Elbasan. Proda ka nisur rrugëtimin e tij në uniformat blu në vitin 2005 fillimisht si specialist i policisë kriminale në komisariatin nr. 3. Më pas për shumë vite ka shërbyer si specialist në komisariate dhe në drejtorinë e përgjithshme.

Në 2013 ai emërohet shef komisariatit nr. 2 në Tiranë, detyrë të cilën e mbajti gati një vit dhe dy vite të tjera, deri në vitin 2016 shërbeu si shef i komisariatit të Bulqizës. Në korrik të vitit 2019 pasi merr gradën kryekomisar ai emërohet zv. drejtor për hetimin e krimeve në Korçë. Ndërsa në 2021 emërohet në po të njëjtën detyrë në policinë e Elbasanit. Në mars të vitit 2023, pasi mori gradën drejtues, ai u emërua drejtor i policisë Elbasan.

Proda ka diplomë avokati dhe master shkencor për të drejtë penale. Po ashtu ka marrë pjesë në kurse e seminare të ndryshme ku është pajisur me certifikatë.

Njoftimi i Ministrisë:

Në mbështetje të ligjit Nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, si dhe Udhëzimit të Ministrit të Brendshëm Nr. 160, datë 2.9.2024 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për përzgjedhjen e kandidatit për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”, Ministria e Brendshme shpalli thirrjen publike për aplikim për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Komisioni i Posaçëm i ngritur sipas parashikimit të të njëjtit ligj, zhvilloi seanca dëgjimore me qëllim vijimin e procesit të vlerësimit për 11 kandidatët e kualifikuar, sipas kritereve të këtij procesi. Seancat dëgjimore u ndoqën nga misionet partnere pranë Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, ICITAP dhe EU4LEA, në rolin e vëzhguesit të procesit.

Komisioni i Posaçëm kreu verifikimin e pastërtisë së figurës për të gjithë kandidatët e kualifikuar, duke kërkuar të dhënat përkatëse nga organet ligjzbatuese si vijon: Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Prokuroria e Përgjithshme, Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (DPPSH), Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), Agjencia e Informacionit të Sigurisë së Mbrojtjes (AISM).

Në fund të këtij procesi, ditën e premte 27.09.2024, Komisioni i Posaçëm i dorëzoi në bazë të ligjit Ministrit të Brendshëm listën me 5 kandidatët më të vlerësuar, paraqitur si më poshtë sipas rendit alfabetik:

• Z. Altin Mena

• Z. Ardian Çipa

• Z. Ilir Proda

• Z. Neritan Nallbati

• Z. Skënder Hita

Ministri i Brendshëm do t’i përcjellë Këshillit të Ministrave, si kandidat për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z. Ilir Proda dhe vendimi i Qeverisë për këtë kandidaturë do të merret në mbledhjen e radhës./gsh

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button