Bota

Nëndetësja e re bërthamore e Kinës fundoset gjatë ndërtimit

Pamjet satelitore kanë treguar se nëndetësja më e re bërthamore sulmuese e Kinës është fundosur gjatë ndërtimit, tha të enjten një zyrtar amerikan i Mbrojtjes.

Për Kinën, fundosja e nëndetëses së parë të klasës Zhou paraqet dështim, pasi Pekini është duke bërë përpjekje ta ndërtojë marinën më të madhe në botë. Pekini ka shfaqur vetëbesim të madh në pretendimet e tij për ta pasur vetëm nën kontrollin e vet tërë Detin e Kinës Jugore, i cili është kyç për tregtinë ndërkombëtare.

Ndërkohë, Kina përballet me mosmarrëveshje të kamotshme territoriale me vende të tjera në rajon, duke përfshirë Brunein, Malajzinë, Filipinet, Tajvanin dhe Vietnamin.

Shtetet e Bashkuara synojnë t’i forcojnë lidhjet me aleatët e tyre në rajon dhe lundrojnë rregullisht në ato ujëra në operacione që ata thonë se ruajnë lirinë e lundrimit për anijet atje, duke e zemëruar kështu Pekinin.

Kjo nëndetëse me gjasë u fundos mes muajve maj dhe qershor, kur pamjet satelitore shfaqen vinça të cilët do të ishin të nevojshëm për ta nxjerrë atë nga fundi i lumit, tha zyrtari amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti.

Kina është duke e ndërtuar flotën e vet detare me shpejtësi të madhe. SHBA-ja e vlerëson ngritjen e Kinës si shqetësimin më të madh për sigurinë e saj në të ardhmen.

Ambasada kineze në Uashington tha të enjten se nuk ishte “në dijeni me situatën” dhe se nuk ka informata për të ofruar.

Zyrtari amerikan tha se nuk ishte “befasi” që marina kineze do ta mbajë të fshehtë këtë dështim.

Lajmi për fundosjen e nëndetëses vjen në një javë kur Kina e lëshoi si rrallëherë një rakete balistike ndërkontinentale në ujërat ndërkombëtare në Oqeanin Paqësor.

Ekspertët thonë se ky ishte testi i parë që Pekini e ka kryer prej vitit 1980./bw

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button