Kulturë

Vasillaq Vangjeli, largimi me pengje i aktorit

Nga Alma Mile

“Koçi është një rol simpatik, të cilin e kam punuar me shumë qejf. Pas shfaqjes në teatër, u bë film, për të cilin kemi punuar tre muaj me një staf të mrekullueshëm, si: Stavri Shkurti, Violeta Manushi, Pandi Raidhi… Të gjithë nuk janë më… Kanë ikur shumë, aq sa tani më duket vetja si 100 vjeç…”

Kështu do të thoshte aktori Vasillaq Vangjeli në dhjetor të vitit 2009, në një intervistë për gazetën “Panorama”. Nuk e dinte se më shpejt seç duhej do t’i bashkohej “panteonit të të ikurve”. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, krijuar nga sëmundja e azotemisë në veshka dhe ajo e diabetit, u nda nga jeta në moshën 63-vjeçare.

Një lajm i papritur, i paraprirë vetëm nga 4 ditë shtrim në spital. Lajmi i vdekjes së Vasillaq Vangjelit do të trondiste jo vetëm familjarët, por edhe miqtë dhe kolegët e tij, që ndanë jo vetëm skenën me të, por edhe momente gëzimi e vështirësish në një jetë të tërë krijimtari.

Gazi i tavolinës

Për kolegun dhe publikun, ai do të mbetet aktori me zërin e fuqishëm, me batutën gjithmonë gati dhe aftësinë të të bënte për të qeshur në çdo situatë. E mbajmë mend hershëm me rolin e spikatur të Koçit tek “Zonja nga qyteti”, batutat e të cilit i kujtojmë në mes tonë (“Unë bëj zhaba, qenër dhe kuaj me çizme meksikane…”).

Kanë qenë të shumta rolet në skenën e Estradës, në televizion apo kinematografi, gati 100, por një nga rolet që do ta bënte atë edhe më të dashur për publikun, ishte ai i Enver Hoxhës në serialin televiziv “Gjuetia e fundit”, ku interpretonte në krah të aktorëve Koço Devole, Agim Bajko, Mariana Kondi etj.

“Pse nuk ka luajtur në dramë, por vetëm në komedi?”, kam pyetur veten. Sot kam vetëm një përgjigje, që mbetet e thjeshtë – nuk ka pasur ofertë dinjitoze për talentin e tij. Historia kulturore është e mbushur me raste të aktorëve të pazbuluar në të gjithë dimensionin e tyre artistik. Vaso është njëri prej tyre. Jo rastësisht diplomën e mbrojti me rolin e Jonuz Brugës tek drama “Familja e peshkatarit”.

Vasillaq Vangjeli mbetet një aktor i shkëlqyer i dramës, por që nuk arriti ta tregonte fuqinë e tij dramatike”, do të thoshte ndër të tjera regjisori Kiço Londo.

“Shoku im i klasës dhe kolegu Vasillaq Vangjeli është aktori më gjigant i humorit. Vaso ashtu si kishte trupin, kishte dhe shpirtin. Kishte një vokal të mrekullueshëm, një vesh absolut, plastikë dhe mimikë fantastike. Kemi humbur një mik dhe një familjar të shkëlqyer”, thoshte aktori i humorit, Veli Rada.

“Njeriu duhet të bëhet i fortë”. Por, kur vdekja vjen papritur, edhe dhimbja është më e madhe. “Vdekja e një njeriu është një pikëllim i madh kryesisht për familjen, pastaj për ne shokët, që kemi punuar një jetë me Vason. Vdekja është ai moment kur ai që ikën, na thërret të ndahemi me të. Vasoja është një nga aktorët më të spikatur të humorit shqiptar. Për 45 vjet me rolet e tij, ai ka bërë spektatorin të qeshë. Ai ishte ai njeriu që sillte gaz në çdo tavolinë. Ishte njeriu që diti të interpretonte parodinë, këngën humoristike me zërin e tij të mrekullueshëm, por mbi të gjitha do të mbetet një aktor i madh i skenës dhe ekranit”, shprehej Koço Devole.

I ikur me pengje

Në vitin 2005, kur u shkri Estrada e Tiranës, Vasillaq Vangjeli u gjet i papunë. Megjithëqë merrte pjesë në projekte të ndryshme private, ishte e pamundur të plotësonte nevojat familjare, ndaj edhe kishte hapur një restorant modest pranë Medresesë, ku gjeje vazhdimisht miq edhe shokë.

“Nuk është puna ime kjo. E bëj me qejf sepse mbaj fëmijët, por nuk është punë kjo”, thoshte Vaso, teksa shpresonte që shteti të mendonte më shumë për aktorët e humorit. “Më hanë duart për punë. Sepse jemi në pikun e pjekurisë artistike. Është një pozicion shumë i keq… Dëshirën që kisha sa dola nga shkolla për të punuar në Teatrin Popullor, do të doja ta realizoja tani. Vitet e fundit t’i kaloja atje. Do të doja të realizoja disa figura, që nuk munda dot dhe të dal i qetë në pension. Nuk ka rëndësi se çfarë. Por i dua 3 komedi të mirëfillta. Por të kemi jetë e shëndet. Nuk kam ngopur veten time akoma me art. Kam role pa realizuar”, do të thoshte ai dikur për gazetën “Panorama”. Dëshirë që nuk arriti ta realizonte./aktoretshqiptare.com

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button