Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë
SHBA/ Vendoset nën akuzë 58-vjeçari që tentoi t’i bënte atentat Donald Trump-it
58-vjeçari Ryan Routh, i cili sipas autoriteteve, qëndroi 12 orë në pritje të ish-presidentit amerikan Donald Trump në klubin e golfit të tij, me qëllim për ta ekzekutuar, është vendosur nën akuzë, për përpjekjen e tij për të vrarë një kandidat për president. Përpos kësaj, ai akuzohet edhe për armëmbajtje të paligjshme.
Routh shkroi edhe një letër në të cilën detajonte synimin e tij. Në këtë letër, ai shprehej se do të dështonte përpjekja e tij për të vrarë Donald Trump dhe se do të ofronte 150,000 dollarë për çdokënd që do ta kryente aktin.
Gjermani/ Përplasen 2 trena, duke shkaktuar të lënduar
Një tren rajonal dhe një tren mallrash, i parkuar, janë përplasur në linjën hekurudhore mes Duisburg dhe Xanten. Nga ky aksident u plagosën 13 persona dhe tre prej tyre paraqiten në gjendje të rëndë shëndetësore. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 7:30 dhe treni rajonal goditi trenin e mallrave.
Policia dërgoi një helikopter shpëtimi në vendngjarje. Treni rajonal, ku ndodheshin 30 persona, ra në shinat në krah gjatë udhëtimit, duke goditur kështu trenin e parkuar. Të dy mjetet e transportit mbetën në shina pas aksidentit.
Lindja e Mesme/ Izraeli bombardon Libanin
Izraeli bombardoi sërish objektiva të reja të militantëve të Hezbollah në Liban, teksa numri i të vdekurve ka shkuar në 569 dhe i të plagosurve, në 1,853. Ushtria izraelite u shpreh se ka goditur dhjetëra objektiva të grupimit terrorst, duke përfshirë edhe militantë që kishin gisht në lëshimin e raketave në territorin verior të Izraelit.
Sipas Izraelit, në një prej sulmeve mbeti i vrarë komandanti i lartë i Hezbollahut, Ibrahim Muhammad Qubaisi, i cili mbikëqyrte sistemet raketore që hidheshin në Izrael. Nga ana tjetër, është rritur kaosi në Lindjen e Mesme dhe është shtuar frika se do të nisë shpejt një konflikt rajonal.
Zelensky thotë se Rusia do të pranojë paqen nëse detyrohet
Sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, Rusia mund të pranojë paqen mes saj dhe Ukrainës, vetëm në rast se detyrohet. Zelensky, në paraqitjen e tij para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, akuzoi Iranin dhe Korenë e Veriut si bashkëpunëtorë të Rusisë në luftën +2-vjeçare në Ukrainë.
Ai gjithashtu u shpreh se nuk beson në vërtetësinë e thirrjes së Rusisë për paqe dhe theksoi se presidenti Vladimir Putin ka thyer rregulla e norma ndërkombëtare dhe se nuk mund të ndalojë vetë, por duhet të detyrohet.