77 vite nga orkestrimi i një procesi gjyqësor nga komunistët, kundër “spiunazhit amerikan” tek “Harry Fultz”-i
Më 18 shtator 1947, regjimi komunist orkestroi një proces gjyqësor kundër “çadrës” së spiunazhit amerikan në Shqipëri.
Qe vendosur që të zhvilloheshin dy gjyqe, një i hapur dhe një i mbyllur “për gjykimin e disa elementëve armiq, mbeturina të fashizmit, të spiunazhit të huaj, fraksionistë..etj, si edhe mbi qëndrimin dhe masat ndaj atyre teknikëve që dalin të implikuar në procesin gjyqësor”.
Akuzat ngriheshin kundër Harry Fultz-it, që sipas regjimit përdorte kontaktet e tij si drejtor i Shkollës Teknike, në kuadër të një aktiviteti spiunazhi.
“Nga procesi dalin të implikuar shumë teknikë. Një kategori e tyre mund të futen edhe në burg. Një kategori duhet të këshillohet. Një kategori që mund të vëzhgohet. Njerëzit tonë duhet të përfitojnë për të krijuar agjentë. Ka nga ata që do të transferohen ose do të pushohen”, shkruhet në dokumentin e ruajtur në Arkivin Qendror të Shtetit.
Nëpërmjet tekstit ilustrues, mësohet se në përgatitjen e gjyqit do të përcaktohej edhe ndërmarrja e masave të karakterit politik. Nga punimet e gjyqit u dënuan me vdekje Beqir Çela, Riza Alizoti, Paollo Sagioti, Andrea Tarasconi, Sulo Klosi dhe Agathokli Xitomi./OraNews