Përmbytjet në Evropën Lindore, Polonia shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore
Përmbytjet shkatërruese në Evropën Lindore kanë shkaktuar dëme të mëdha, me rajonet më të prekura që përballen me kushte të rënda. Stuhia e quajtur “Boris” ka sjellë shira të rrëmbyeshëm dhe erëra të fuqishme, duke lënë mijëra familje pa energji elektrike dhe fatkeqësisht duke shkaktuar humbje jete.
Në Poloni, mijëra banorë janë evakuuar për shkak të përmbytjeve të shkaktuara nga dalja e lumenjve, ndërkohë që qeveria ka vendosur të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore. Banorëve të zonave jugperëndimore të vendit u është kërkuar të largohen nga shtëpitë e tyre për të shmangur rrezikun.
Situata është e rënduar edhe në Rumani, ku mbi 700 banesa janë përmbytur, ndërsa autoritetet po punojnë me zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencave për të menaxhuar krizën. Ndërkohë, në Çeki, rreth 80% e qytetit të Krnovit është përmbytur, me mijëra banorë të evakuuar dhe operacionet e shpëtimit të mbështetura nga përdorimi i helikopterëve./albeu.com