Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë
Egjipt/ Përmbyset autobusi, 43 të plagosur
Një autobus me turistë u përmbys në autostradën Suez-Kairo, duke plagosur 43 udhëtarët të kombësive të ndryshme, si dhe 4 egjiptianë. Ata po ktheheshin nga Sharm El-Sheikh. Menjëherë të lënduarit janë dërguar në kompleksin mjekësor të Suezit, ndërsa 3 nga shtetasit egjiptianë nuk kanë pranuar të shkojnë në spital.
Zyrtarët po hetojnë shkaqet e aksidentit, për të përcaktuar nëse është shkaktuar nga shpejtësia e tepërt apo nga mosfunksionimi i timonit të autobusit. Guvernatori i Suezit, Tariq Hamid Al-Shalzi, urdhëroi ngritjen e nivelit të gatishmërisë në spital, si dhe u bëri thirrje ekipeve mjekësore për të trajtuar të lënduarit.
Kinë/ Rritet mosha e pensionit për herë të parë që pas viteve ‘50
Kina do të rrisë në mënyrë graduale moshën e pensionimit, për herë të parë që prej viteve ’50. Vendi po përballet me moshimin e popullsisë dhe vështirësi në sigurimin e buxhetit për pensionet. Është miratuar kështu propozimi për rritjen e moshës së pensionimit nga 50 vjeç në 55 vjeç për gratë që kryejnë punë fizike dhe nga 55 vjeç në 58 vjeç për gratë që punojnë në zyra.
Te burrat, mosha e pensionit shkon nga 60 vjeç në 63 vjeç. Mosha aktuale e pensionit në Kinë, për momentin është ndër më të ulëtat në botë. Ligji i ri do të hyjë në fuqi më 1 janar 2025 dhe synon që mosha e pensionit të rritet për disa muaj gjatë 15 viteve të ardhshme.
Rusi/ Shtohen kërcënimet për përdorimin e armëve bërthamore
Zyrtarët rusë kanë paralajmëruar se nëse Perëndimi e lejon Kievin që të përdorë armë perëndimore për të sulmuar thellë në territorin rus, kjo do të sjellë përkeqësimin e luftës në Ukrainë dhe mund të përfshijë edhe përdorimin e armëve bërthamore. Ish-presidenti Dmitry Medvedev, i cili është kryetari i Këshillit të Sigurisë në Rusi, paralajmëroi se më 14 shtatori, Kievi do të kthehet në një “zonë të shkrirë gri”, nëse zbuten kufizimet kundër përdorimit të armëve perëndimore që vendet dërgojnë në shtetin e pushtuar nga Rusia.
Nga ana tjetër, Ukraina ka thënë se do të kryejë sulme me rreze të gjatë veprimi brenda Rusisë, si vetëmbrojtje kundrejt forcave ruse. Disa liderë eurpianë po e shqyrtojnë mundësinë dhe mund t’i japin Ukrainës shansin që të sulmojë nga larg. Supozohet se Britania e Madhe është afër marrjes së vendimit për të lejuar Ukrainën që të përdorë raketat e saj.
Nigeri/ Dhjetëra viktima nga përmbytjet
37 persona kanë mbetur të vdekur dhe 400,000 të tjerë janë zhvendosur pas përmbytjeve të shumta në verilindje të Nigerisë. Një ekip shpëtimi gjeti 37 trupa të pajetë, u tha në një takim kombëtar të koordinimit të emergjencave. Përmbytjet goditën Bornon, shkolla, spitale, zyra, kopshtin zoologjik, institucione fetare, tregje e banka.
Për autoritetet, ky është incidenti më i keq që ka ndodhur në dekadat e fundit. Operacionet e kërkimit dhe shpëtimit të të prekurve nga tragjedia vijojnë, ndërsa qeveria ka krijuar kampe ku ofrohet ushqim, batanije, si dhe para për të zhvendosurit./Anabel