Testohet treni i së ardhmes që kap 700 km/h
Vagonët lëvizin me anë të fushave manjetike
Kanë nisur provat e para në Evropë për trenat e quajtur Hyperloop, në gjendje të arrijnë një shpejtësi rekord deri në 700 kilometra në orë. Kabinat janë vendosur në brendësi të cilindrave bosh, pa fërkim me ajrin dhe që vihen në lëvizje nëpërmjet fushave manjetike.
Në Holandë, janë vënë në funksion vagonët e parë me objektiv final realizmin e plotë të projektit në vitin 2030. Për kompaninë që ka zhvilluar projektin kjo është një teknologji që i përket të ardhmes së udhëtimeve. Gjatë testimit të parë në një segment prej 420 metrash kapsula arriti shpejtësinë 30 kilometra në orë që në 100 metrat e parë.
Ideja e trenave Hiperloop u konceptua për herë të parë nga manjati i teknologjisë Elon Musk më shumë se një dekadë më parë, kur ai sugjeroi se ai mund të transportonte pasagjerët në distancën 645 km nga Los Anxhelos në San Franciskos në vetëm 30 minuta.
Kjo mund të jetë koha e udhëtimit edhe nga Parisi në Amsterdam kur sot nevojiten 5-6 orë me makinë. Ideja është duke u përpunuar nga shumë ekipe në mbarë botën, por ende nuk është arritur në një sistem të qëndrueshëm që për më tepër do të kërkonte investime kolosale./Tv Klan