Lajme

Rrjeti gjigand botëror i marketeve, Lidl, po planifikon të hyjë në Shqipëri

Rrjeti gjigand i supermarketeve, Lidl, po planifikon të hyjë në Shqipëri. Lajmi është bërë publik nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve.

“Një hap i rëndësishëm për ekonominë shqiptare, pritet të marrë jetë së shpejti. Bëhet fjalë për Brandin ndërkombëtar Lidl, rrjetin më të madh të supermarketeve gjermane, të njohur në mbarë botën, i cili ka shprehur interes për Shqipërinë,” thuhet në njoftimin e AIDA-s.

I bazuar në Gjermani, Lidl është një nga rrjetet më të mëdha në botë të supermarketeve duke numëruar 12 mijë e 200 dyqane në të gjitha vendet e Bashkimit Europian, por edhe në SHBA, Zvicër dhe Angli. Aktualisht Lidl numëron mbi 376 mijë të punësuar në të gjithë botën dhe vitin e kaluar realizoi një xhiro prej 125.5 miliardë dollarësh, një shifër kjo 6 herë më e lartë se Produkti i Brendshëm i Shqipërisë.

“Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), në bashkëpunim me Autoritetin Portual Durrës (APD), po asiston prej shumë kohësh, kompaninë gjigande të shitjes me pakicë, Lidl, në zgjerimin e aktivitetit të saj në Shqipëri,” thuhet në njoftimin e AIDA-s.

Futja e një gjigandi ndërkombëtar kaq të madh në Shqipëri pritet të sjellë ndryshime rrënjësore në strukturën e tregut vendas të marketeve, i cili zotërohet kryesisht nga operatorët lokalë.

“Ky investim i rëndësishëm nga Lidl do të sjellë ndryshime të mëdha në ekonominë lokale duke krijuar vende të reja pune dhe duke ofruar mundësi për prodhuesit dhe furnizuesit shqiptarë. Kompania ka identifikuar Shqipërinë si një treg me potencial të madh, duke e vlerësuar për miratimin e lartë të konsumatorëve ndaj produkteve të cilësisë së lartë dhe çmimeve konkurruese që ofron,” përfundon njoftimi i AIDA-s.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button